
Kundërsulmi ukrainas në rajonin lindor të Kharkivit është kthyer në kryefjalë të luftës që po zhvillohet prej 24 shkurtit, pas agresionit rus, por ajo që nuk kuptohet, është raporti i vërtetë statistikor dhe pyetja se pse, ukrainasit po fitojnë kaq shumë terren në ditët e fundit. ,
Tanimë, dyshimet i ka hequr administratori i rajonit të Kharkivit, Vitaly Ganchev, i cili përveçse ka theksuar se 20 qyteza i janë kthyer Ukrainës vetëm 24 orët e fundit, ka shpjeguar edhe se raporti i ushtarëve ukrainas me ata rusë është tetë me një.
Pra, për çdo tetë ushtarë ukrainas, ka vetëm një ushtar rus në front.
Shifrat gjithsesi mbeten të pretenduara vetëm nga pala e Kievit dhe nuk ka raportime të pavarura mbi çështjen.
Vetë presidenti Volodymyr Zelensky, ka bërë me dije mbrëmjen e djeshme se 3 mijë kilometra katrorë sipërfaqe janë rimarrë nga forcat ukrainase që prej kundërofensivës së Kievit.
Po ashtu, rreth 500 kilometra katrorë janë rimarrë edhe në rajonin e Khersonit.
Nga ana e Moskës, nuk ka ende një përgjigje konkrete ushtarake. E vetmja deklaratë mbi çështjen, është ajo e zëdhënësit për shtyp të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili ka theksuar se misioni ushtarak rus nuk do të ndalet deri kur të arrijë të gjitha objektivat e veta.
Versioni momental është ai i rigrupimit për të mbledhur forcat në zonat e interesit në lindje të Ukrainës, edhe pse Donbassi gjendet tërësisht nën kontrollin e Moskës prej kohësh.