Promovimi i librit “Në ishullin e ëndrrave”, të autorit të talentuar, Erjon Hadërgjonaj, nxënës i klasës 8-të të “Lidhjes së Prizrenit” në Deçan, kishte tubuar krijues dhe dashamirës të fjalës së shkruar artistike, të ardhur edhe nga qytete tjera të Kosovës. Libri i dytë me poezi i krijuesit të ri, por më perspektivë, i financuar nga komuna e Deçanit, ngërthen poezi që i kushtohen vendlindjes dhe atdhedashurisë, i kushtohen të rënëve për lirinë e Kosovës.
Në mesin e shumë të pranishmëve ishte edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, si dhe shkrimtarët dhe publicistët Merxhan Avdyli dhe Berat Luzha, të cilët ishin redaktor dhe recensentë të librit. Për vlerën artistike të këtij libri, pos redaktorit Avdyli dhe recensentit Luzha, ka fol edhe Faik Doda, drejtor i Drejtorisë Komunale për Kulturë në Deçan. Por, vlerë të veçantë artistike këtij promovimi, i dhanë kolegët e shkollës së Erjonit, nxënësit e “Lidhjes së Prizrenit”, të cilët me talentin e tyre, lexonin poezitë e shkruara në librin “Në ishullin e ëndrrave”.
Fjala e autorit, e Erjonit simpatik, ishte përcjellë me vëmendje të veçantë, duke dhënë me kuptue se nuk është vetëm 15 vjeçar. Autori në fjalën e tij shprehet: Çfarë do të ketë libri “Në Ishullin e ëndrrave” më shumë se sa libri i parë?! Këtë mund ta thoni ju që keni lexuar të dy librat e mi, por unë mendoj se ka më shumë profesionalizëm, ngjyrim tjetër artistik, qartësi mendimi, ilustrim e bashkëdyzim artistik të figurave edhe pse motivet mbesin të njëjta, që gërshetojnë ngjyrimet bashkëkohore të tri kohëve: të djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes.
Ndoshta është e vështirë të perceptohet se ku e mora inspirimin e këtyre shkrimeve të motivuara për jetën në Kosovë, kur shumë kush jeton me hezitimin e dilemën e pashpresë. Ideja ime e paraqitur artistikisht përmes këtij libri është tejkalimi i sfidave individuale nga kontesti social, përballë sakrificës sublime të brezave në realizim të ëndrrës së tyre, për të frymuar lirshëm e për të ndërtuar vendin tonë.
Ehh, po ja që edhe në Kosovën tonë kemi shumë arsye për të punuar, mësuar e ëndërruar. Thonë se bota është e guximtarëve, e guximtare është edhe rinia jone. Ne e kemi forcën për të bërë ndryshimin e vendit. Ne e kemi vullnetin për te sjell diçka te re. E di se kemi një rrugë të gjatë përpara, me plot sfida, por së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha, e kur puna jonë vlerësohet, ne marrim edhe më shumë motiv, për të ecur përpara”.