
Ish-komandanti i Brigadës së 549 të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Bozhidar Deliç, i cili së fundmi me 197 vota pro ishte zgjedhur si nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.
Kështu të paktën kanë konfirmuar për mediumin serb, Danas, Partia e Re Demokratike e Serbisë.
Ndryshe më 16 gusht, Shoqata për Krimet e Luftës në Gjakovë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër Bozhidar Deliç’it.
Zgjedhja e ish- komandatit Deliç, sipas shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ilir Kërçeli, ishte mesazh i radhës se politikat e Millosheviçit admirohen e fuqizohen edhe në shekullin 21.
“Se a dëshiron Serbia marrëveshje me Kosovën, tregojnë veprimet e mesazhet e njëpasnjëshme që i dërgon anëtari i qeverisë se kasapit të Ballkanit Vuçiç. Zgjedhja e komandantit Deliç i cili mori pjesë në sulmet në Kosovë të ushtrisë jugosllave si nënkryetar te parlamentit të Serbisë është veç mesazhi i radhës se politikat e Millosheviçit admirohen e fuqizohen edhe në shekullin 21”, kishte shkruar ai.
Deliç ishte paraqitur si dëshmitarë i mbrojtjes në seancat në Tribunalin në Hagë në rastin e Sllobodan Millozheviçit si dhe në rastin e Vladimir Lazareviçit, i cili ishte shpallur fajtorë për krime lufte në Kosovë.
Në brigadën që e ka udhëhequr Deliç është raportuar se ka pasur edhe mercenarë rusë që kanë luftuar kundër shqiptarëve në Kosovë.