Përparim Kryeziu i Zyrës së Kryeministrit, që në vend të zëdhënësit të Qeverisë shpesh bën gjykuesin e mediave, dje ka lëshuar një njoftim, ku Petar Petkoviq përshkruhet si shef i Zyrës për “Kosovë e Metohi”. As më shumë as më pak, njoftimi i tillë u shërnda nga Qeveria e Kosovës, i cili më vonë kur u publikua në faqen e kryeministrit, u përmirësua duke iu shtuar fjala e “ashtuquajtur”. Një lëshim të tillë nga gazetarët, zyra e Kryeministrit Kurti e kishte përdorur për t’i linçuar ata.
Përparim Kryeziu, me titull zëdhënës i Qeverisë, është i njohur sidomos për moskryerje të detyrës së tij.
Kryeziu, që paguhet nga shteti, pak e hiç kryen përgjegjësitë e tij, është i njohur për bojkotim të mediave që partia e tij s’i parapëlqen. Në vend të kësaj ai ka kohë të mjaftueshme, për të shpërndarë qëndrime të tij politike në rrjetet sociale. Mediat, të cilave ai nuk u kthen përgjigje siç ia kërkon detyra, i sulmon me postime në Facebook.
Gjah i preferuar i tij janë gabimet të ngjashme në media për të cilat nga Qeveria s’ka kompromis, duke i paraqitur si qëndrim ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
Dje, Zyra për Media e Kryeministrisë, të cilën e udhëheq Kryeziu, ka lëshuar një komunikatë për intervistën e Kryeministri Albin Kurti në BBC-në serbisht.
ZKM-ja e kishte çuar artikullin e përkthyer në shqip, ndërsa pozita e zyrtarit serb, Petar Petkoviq, ishte përshkruar si shef i Zyrës për “Kosovë dhe Metohi” të Qeverisë së Serbisë”.
Zyra për Media nuk është deklaruar rreth kësaj, por pas raportimit të mediave, në faqen zyrtare të Kryeministrisë e kanë publikuar artikullin e redaktuar. Aty është hequr emërtimi i Petkoviqit.
Nuk janë deklaruar as kolegët partiakë të Kryeziut, të cilët bëjnë roje të mediave, për t’i sulmuar në rrjete sociale.