Ambasadori Hill: Më 1 shtator, më shumë mundësi për përparim sesa për konflikt
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, duke komentuar zhvillimet e fundit, ka thënë se pret që tensionet të ulen dhe dialogu të marrë një qasje më konstruktive.
Hill ka thënë se pret që përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës, të cilët kanë ndërmjetësues mjaft të mirë nga BE-ja në dialog, të angazhohen në zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme.
Ai i pyetur se a ekziston mundësia që më 1 shtator kur hyjnë në fuqi vendimet e Qeverisë për reciprocitet tensionet të rriten, Hill tha se gjasat janë më të mëdha që të ndodh e kundërta.
“Të them sinqerisht, mendoj se ka mundësi më të madhe për përparim në dialog, sesa probleme. Është e qartë se Beogradi dhe Prishtina duhet të bëjnë më shumë për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme. Kanë ndërmjetësues shumë të mirë nga Bashkimi Evropian, e edhe SHBA-ja është shumë aktive. Mezi po pres të shoh përparim dhe për këtë mendoj se të gjithë pajtohemi”, u shpreh Hill.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian që më 18 gusht të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve.