970×90
970×90

17 pozita me ushtrues të detyrave në IPK

17 pozita me ushtrues të detyrave në IPK

17 pozita brenda Inspektoratit Policor të Kosovës po ushtrohen nga drejtorë pa mandate të plota. Tri prej pozitave janë ato të drejtorëve të departamaneteve, të cilat prej rreth dy vitesh udhëhiqen nga ushtrues të detyrave.

Tri departamente brenda Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK) vazhdojnë të udhëhiqen nga ushtrues të detyrave, për shkak të neglizhencës së Ministrisë së Punëve të Brendshme për emërimin e drejtorëve me mandat të plotë.

Ministria e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga ministri Xhelal Sveçla, i ka “bllokuar” me ushtrues të detyrave, pozitat e drejtorëve të departamenteve të Hetimeve dhe të Menaxhimit të Ankesave në IPK.

Paparaci ka mësuar se pozitat e drejtorëve në këto dy departamente të Inspektoratit të Policisë vazhdojnë të ushtrohen nga u.d. prej rreth dy viteve.

Avazit të njëjtë, sikurse me dy departamentet e Hetimeve dhe Menaxhimit të Ankesave, po shkon edhe një departament tjetër brenda IPK-së. Burimet i kanë thënë Paparacit se edhe drejtorit të Departamentit për Çështje Ligjore i skadon mandati i plotë brenda dy muajve të ardhshëm, derisa nuk është hapur ende konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të ri.

Organogrami i Inspektoratit Policor të Kosovës

“Pra tri departamente me ushtrues detyre janë në IPK qe dy vjet, si dhe 15 divizione qe një vit në IPK”, ka thënë ky burim për Paparacin.

Vetem pozitat e Kryeshefit Ekzekutiv, Departamentit për Fincanca, udhëheqësve të Prokurimit, të Personelit dhe Zyrtarit Certifikues, momentalisht janë të mbuluara me udhëheqës me mandat të plotë.

Ndërsa, edhe 14 zyrtarë të tjerë nëpër divizionet e IPK-së vazhdojnë të ushtrohen me ushtrues të detyrave.

As procesi i rekrutimit të këtyre pozitave nuk ka filluar akoma, pasi që si i tillë nuk mund të vazhdohet pa u plotësuar pozitat e udhëheqësve të departamenteve përkatëse.

IPK-ja kishte hapur konkurs për plotësimin e tri pozitave të drejtorëve të departamenteve të lartëcekura në muajin mars të vitit të kaluar, por konkursi ishte anuluar për shkak të mungesës së mbështetjes së procedurave nga MPB-ja e Sveçlës.

IPK-ja kishte fajësuar ministrin Sveçla se për shkak të “nevojës për analizë dhe vlerësim edhe në ministri”, procesi i rekrutimit të drejtorëve të rinj nuk kishte arritur që në një afat optimal ta mbështeste inspektoratin në vazhdimin e procedurave për anëtarët e komisionit dhe për këtë konkursi ishte anuluar.

Për t’u zgjedhur në pozitë udhëheqëse të IPK-së, kandidatët brenda organizatës vlerësohen sipas këtyre kritereve të përcaktuara me akt nënligjor: përvoja në funksione operative të IPK-së (25%), përvoja e përgjithshme menaxheriale (10%), trajnimet profesionale për fushën në të cilën konkurrojnë (10%), performanca në punë e treguar gjatë (2) viteve të fundit (5%), dhe intervista me gojë (50%).

Tutje, pas përfundimit të intervistimit me gojë, nxjerrët lista përfundimtare e rezultateve me një rekomandim për kandidatin më të suksesshëm, e që i dorëzohet Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, i cili autorizon shpalljen e tyre në Faqen zyrtare dhe Tabelën e shpalljeve të IPK-së.

Dhe vetëm pas shtatë ditëve kalendarike të publikimit të rezultateve, Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së cakton në detyrë, duke avancuar kandidatin e rekomanduar dhe lëshon vendim për ngritjen në pozitën përkatëse.

Paparaci ka dërguar të premten pyetje në adresë të MPB-së për të kërkuar sqarime rreth mungesës së mbulimit të pozitave me mandat të plotë në IPK, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës ka kompetencë të plotë ekzekutive mbi IPK-në, por ai i përgjigjet Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aktualisht pozitën e Kryeshefit të IPK-së e ushtron Kushtrim Hodaj.

Derisa tri departamente në IPK-në e kontrolluar nga Ministria e Punëve të Brendshme vazhdojnë të udhëhiqen nga drejtorë me mandat të përkohshëm, ministri Sveçla të enjten nxori një vendim për shkarkimin e Fadil Kodrës, ushtruesit të detyrës së Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), një agjencie që funksionon në kuadër të MPB-së.

Lajmin për shkarkimin e drejtorit të AME-së e bëri të ditur një zëdhënëse e MPB-së, në një deklaratë me shkrim për Paparacin të premten.

“Ju njoftojmë se Ministri Sveçla e ka shkarkuar dje nga detyra z. Kodra. Për korrektësi, z. Kodra ka qenë në funksionin e tij me vendim si Ushtrues Detyre i Drejtorit dhe jo Drejtor i Përgjithshëm i AME-së”, ka thënë një zëdhënëse e MPB-së për Paparacin.

Vendimi i ministrit Sveçla u nxor përmes një akti të dyshimtë. Ai u bazua në shfuqizimin e një vendimi të vitit 2015, duke anashkaluar një vendim të pasuar tre vjet më vonë nga ish-kryeministri Haradinaj.

Fadil Kodra kishte shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”.

Për shtatë vjet, Kodra kishte mbajtur pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të AME-së, ndërkaq në pesë vitet e fundit kishte ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.

Related posts