970×90
970×90

Lulzim Rafuna zgjedhet kryetar i ri i OEK-ut

Lulzim Rafuna zgjedhet kryetar i ri i OEK-ut

 

( E plotësuar, ora 12:20) Oda Ekonomike e Kosovës ka zgjedhur sot drejtuesit e rinj, ku kryetar i OEK-ut u zgjodh Lulzim Rafuna.Kryesues i Kuvendit është zgjedhur Sami Mazreku nga Byroja e Sigurimeve.

Kuvendi i OEK-ut zgjodhi Rafunën kryetar me 27 vota, ndërsa mandati i kryetarit është katërvjeçar.

Lulzim Rafuna më parë ishte ish-drejtor i Doganës së Kosovës, ministër në detyrë i Financave dhe këshilltar i ish-ministrit të Financave, Bedri Hamza, dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Në garë për kreun e OEK-it ishte edhe Erëza Vela e cila mori 11 vota si dhe Ruzhdi Kurtishaj 12 vota.

Kryetari i deritanishëm ishte Berat Rukiqi.

Filloi Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës

Parim Bajrami, sekretar i Odës Ekonomike, ka bërë me dije se në ora 13:00, do të dihet emri i kryetarit të ri të OEK-ut.

Mbledhja vazhdon me dyer të mbyllura pa praninë e mediave.

Sot mbahet Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës

Sot  ( e enjte, 14 korrik 2022) me fillim në ora 10:00 do të mbahet mbledhja Konstituive e Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), në të cilin do të zgjedhen edhe organet e reja drejtuese në mandatin e ardhshëm katër vjeçar. 51 delegatë të Kuvendit të Odës Ekonomike do të votojnë për organet e reja të OEK-ut.

Për RTKlive nga Oda Ekonomike e Kosovës, kanë konfirmuar se deri më tani për të qenë pjesë e garës për kryetar të OEK-ut, janë tre kandidatë. Ruzhdi Kurtishaj, i cili deri tani ishte kryetar i Kuvendit të Odës Ekonomike, Erëza Vela e cila është një afariste e suksesshme në Kosovë dhe Lulzim Rafuna ish-drejtori i Doganës së Kosovës.

Related posts