
Pas një vizitë disaditore në Greqi, sot kryeministri Kurti ka marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Mirëseardhje i uroi bashkëpartiaku i tij, kryekuvendari, Glauk Konjufca, derisa nuk ‘shpëtoi’ nga komentet e deputetëve të opozitës.
“Qenke rrezitur mirë”, dëgjohet shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke i thënë Kurtit.
Kryeministri Albin Kurti më shumë se një javë ka qëndruar në Greqi. Kjo vizitë është kritikuar shumë nga partitë opozitare.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku të martën ka ngritur dilema rreth qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti në Greqi. Ajo tha se në ngjarje si tryeza ndërkombëtare vjetore e revistës prestigjioze “The Economist” javën e kaluar, kryeministri rri “më së shumti 2 ditë”.
“Sinqerisht, a din dikush me më tregu qe sa ditë është Kryeministri në Greqi? Rëndom, në konferenca të tilla, Kryeministri shkon në hapje, e mbanë fjalimin/takimet dhe kthehet. Më së shumti 2 ditë”, shkroi ajo, duke shtuar se “Kosovën po e qeverisë Besnik Bislimi”.