Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur sot një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
Molliqaj ka reaguar pas votimit të asamblistëve të të dy partive në komunën e Prishtinës, për shkarkimin e asamblistit të PSD’së, Qëndrim Spahiu, nga Ndërmarrja Publike Banesore.
“Sot, edhe zyrtarisht e publikisht, nisi bashkëpunimi/koalicioni PDK-VETËVENDOSJE! në Prishtinë”, ka shkruar Molliqaj në faqen e tij në Facebook.
“Koalicion ky kundër të gjithë votuesve që e votuan Shpend Ahmetin me programin e tij qeverisës. Koalicion për të keqen e Prishtinës”, është shprehur ai.
“E dhimbshme, por jo e papritshme. Por, qytetarët e Prishtinës do ta vlerësojnë punën e mirë të kryetarit Shpend Ahmeti dhe do t’i ndëshkojnë me votë ata që tentojnë ta bllokojnë zhvillimin e Prishtinës ashtu siç e ndëshkuan PDK-në në zgjedhjet e fundit.
Në këtë foto janë asambleistët e VV, PDK dhe LDK duke iu gëzuar bashkimit kundër Shpend Ahmetit”, ka shkruar Molliqaj.