“Pushimet e para pa kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
Kështu shkruan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa ka shpërndarë një video në media sociale, ku shihet sesi pushuesit nga Kosova po vizitojnë vendin, pa asnjë ndalesë në kufi.
Rama premton se nuk do të ketë më radhë të gjata, “tash e tutje, përvit e për krejt vitin”.
Marrëveshja mes dy shteteve siguron që deri më 30 shtator për çdo fundjavë dhe festë zyrtare, qytetarët të mos regjistrohen nga Policia e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërkohë që në kufi radhët janë zhdukur.
Kështu, çdo fundjavë gjatë sezonit veror në pikat kufitare nuk do të ketë asnjë ndalim për kontroll dokumentesh apo policor.
Qytetarët e Kosovës që vijnë për të pushuar në brigjet e bregdetit të Shqipërisë e kanë kaluar tashmë kufirin pa asnjë ndalesë.
Në sportelet e doganës, Policia kufitare e Morinës nuk ka kërkuar dokumentet dhe nuk i ka regjistruar qytetarët e Kosovës.
Marrëveshja
Ishte ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë mbledhjes së përbashkët mes Qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që bëri me dije se protokolli i parë që do të nënshkruajnë ka të bëjë me kalimin kufitar.
“Nga data 1 qershor deri më 30 shtator, për çdo fundjavë dhe festa shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do të kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare, në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët”.
Çuçi theksoi se kur ka fluks lëvizjeje nga të dyja krahët “ne do ta lehtësojmë plotësisht”.