
Ish-kryeminsitri i Kosovës, Avdullah Hoti, është betuar para kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj Shtetit Shqiptar dhe respektimin e Kushtetutës e të legjislacionit, duke marrë zyrtarisht nënshtetësinë shqiptare.
Gjatë ceremonisë së betimit, Veliaj tha se qyteti i Tiranës është i destinuar të rritet.
“Në këto 102 vjet si Kryeqytet ne kemi pasur një eksperiencë të jashtëzakonshme – nisi si një qytezë e vogël, kurse sot është edhe Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Qyteti vjet u rrit me 32 mijë banorë, ose ndryshe 10 mijë apartamente dhe 10 mijë makina. Tirana është një qytet, i cili vetëm rritet dhe shërbimet ndaj qytetarëve kërkojnë standardet që kemi vendosur këto vite”.
Ndër të tjera, ai u shpreh se marrja e shtetësisë shqiptare duhet konsideruar si një mision për progres dhe për të çuar përpara ambiciet e vendit.
“Më vjen mirë që sot, 22 shtetas të rinj i bashkohen qytetit tonë, shtetit tonë, edhe misionit tonë për një Shqipëri që bën progres, edhe për një vend që modernizohet dita-ditës”.
Pas leximit të formulës, 22 shtetasit nga Kosova, SHBA-të, Egjipti, Turqia dhe Siria, nënshkruan edhe aktin e betimit.