Burimet e Albanian Post brenda takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili është duke vazhduar tash e një orë e gjysmë, bëjnë të ditur se i pari i ekzekutivit nuk ka ndryshuar pozicion për sa i përket çështjes së veteranëve, pa u pastruar listat.
Ngurtësia e Kurtit në raport me veteranët ka vazhduar edhe sot, i cili thuhet të ketë thënë se veteranët nuk do të mund të përfshihen në ligjin për pagën minimale, pa u pastruar fillimisht listat.
Sipas burimit në takimin që po vazhdon ai nuk ka pranuar asnjë propozim nga veteranët.
Ndryshe Përfaqësuesit e organizatës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë arritur në Qeveri për takimin me kryeministrin Albin Kurti, diku rreth orës nëntë atëherë edhe kur ishte caktuar takimi.
Takimi është si rrjedhojë e protestës së veteranëve, të cilët të enjten e 16 qershorit, rrethuan ndërtesën e Qeverisë për të shprehur pakënaqësitë lidhur me mos përfshirjen e kësaj kategorie në Projektligjin për pagën minimale, i cili u miratua në lexim të parë tre ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa e dytë e veteranëve, ishte edhe ndërprerja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritej të votohej Projektligji për tërheqjen e një shume të caktuar të mjeteve nga Trusti, me pretekstin se seanca nuk duhej vazhduar pa u trajtuar çështja e veteranëve.
Në anën tjetër paralelisht me protestën e veteranëve, protestë ka pasur edhe në Parlamentin e Kosovës, ku partitë opozitare duke u solidarizuar me veteranët arritën që ta bllokonin foltoren e Kuvendit kështu duke e pamundësuar vazhdimin e seancës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, detyrimisht ndërpreu seancën dhe i ftoi krerët e partive opozitare në zyrën e tij për të biseduar e rrjedhimisht për të gjetur një gjuhë të përbashkët.
Në kthim nga pauza, kryeministri Kurti, nga foltorja lajmëroi se ka pranuar kërkesën e veteranëve për dialog, kështu duke bërë të ditur se ai do të presë përfaqësuesit e veteranëve së bashku me ministrin e Financave, dhe kryetarin e komisionit për buxhet në zyrën e tij të premten e 17 qershorit.