Të martën e 14 qershorit u bë e ditur se “Sunny Hill” do të zhvendoset nga Prishtina në Tiranë, për shkak të disa mosmarrëveshjeve mes organizatorëve të festivalit dhe Qeverisë së Kosovës për dhënien e pronës në Bërnicë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë dhënë së fundmi për “Top Channel”, ka zbuluar lokacionin e ri të festivalit që është në Parkun e Liqenit, në Tiranë.
“E kemi marrë vendimin final, do të jetë hapësira e Liqenit, fushat përreth Liqenit të Tiranës. Do të jenë tri skena të ndryshme. Një skenë, le të themi skena qendrore, që do të jetë një paradite dhe skena vonë në mëngjes. Kështu që do të duhet që të gjithë të bashkëpunojmë, na duhet pak punë logjistike. Është çështje fokusi, disipline, aftësi menaxheriale për të organizuar grupe të mëdha”, u shpreh ai.
Më tej, Veliaj ka thënë se Tirana do të përfitojë rritje ekonomike, e cila do të shkojë deri në 50 milionë euro në ditë nga festivali “Sunny Hill”.
“Tirana prodhon zyrtarisht 20 milionë euro ekonomi në ditë dhe kur ka ndeshje si UEFA kjo dyfishohet, ne presim që ato 20 milionë euro që ekonomia e Tiranës i gjeneron në një ditë normale, t’i dyfishojë ato ditë, kështu që unë parashikoj që ne do të kemi një injeksion ekonomik, kur mendoj vaktet, hotelet, taksitë, sigurimi, higjienën, kateringun, pra është një zinxhir ekonomik që punon, patjetër rreth 40-50 milionë euro shtesë në Tiranë”, tha Veliaj.
Menjëherë pas vendimit për zhvendosjen në Tiranë, pati reagime të shumta e pakënaqësi nga një pjesë e figurave publike në Kosovë, ndonëse krerët në Shqipëri u gëzuan që edicioni i tretë i “Sunny Hill” do të ketë lokacion të ri Tiranën.