Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar në Paris ministren e Çështjeve evropiane, Nathalie Loiseau, me të cilën diskutoi për procesin integrues, liberalizimin e vizave dhe përkrahjen e këtij procesi nga Franca.
Hoxha ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara për liberalizimin e vizave, andaj, ka theksuar ajo, pret përkushtimin e vendit mik, Francës që të përkrah lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, procesin integrues si dhe integrimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.
“Kërkova përkrahjen e Francës për proceset integruese dhe liberalizimin e vizave nga Ministrja e çështjeve evropiane, pranë institucioneve të BE-së”, ka thënë ajo.
Po ashtu, ministrja Hoxha kërkoi përkrahjen e Francës për njohjen nga vendet frankofone dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare.
Ministrja Loiseau siguroi ministren Hoxha për mbështetjen e Francës në procesin integrues të Kosovës dhe e përgëzoi për reformat dhe punën që po bëjnë institucionet, duke kërkuar që kjo punë të vazhdojë edhe më tutje dhe Kosova të implementojë MSA-në dhe të ndërmarrë reformat e nevojshme.