Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni, Ali Ahmeti, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë e Maqedoni, si dhe për mënyrat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar lart raportet ndërfqinjësore dhe kanë theksuar nevojën e kultivimit të mëtejmë të tyre e të bashkëpunimit me interes reciprok, si në fushën e ekonomisë, ashtu edhe të arsimit e të kulturës.
Veseli e Ahmeti kanë konsideruar se Kosova dhe Maqedonia, si dy faktorë të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, tashmë kanë hyrë në rrugën e pandalshme të integrimit euro-atlantik, si perspektivë e vetme për të ardhmen e të dyja vendeve.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka vlerësuar rolin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm, ashtu edhe në orientimin euroatlantik të Maqedonisë.
Ndërsa kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka vlerësuar lart hapat që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe rritjen e përfaqësimit e të njohjes ndërkombëtare të saj.
/Epoka e re/