
Gjatë seancës së sotme, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka dhënë një lajm për të cilin deri më sot nuk dihej.
Ai gjatë fjalimit të tij duke treguar për bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën Speciale, përmendi Nazim Bllacën për të cilin tha se ka vdekur.

Nazim Bllaca, i vetë deklaruari si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), ishte bërë shumë i njohur në vitin 2009, kur publikisht kishte deklaruar se ka bërë vrasje për llogari të kësaj organizate. Ky deklarim i tij kishte bërë jehonë të madhe asokohe dhe menjëherë ishte marrë nën mbrojtjen e EULEX-it, si dëshmitar i mbrojtur.
Nazim Bllaca e kishte shpallur vetën ish-agjent i ShIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq i një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla.

Ben Emmerson në seancë foli edhe për dëshmitarët e tjerë të Prokurorisë.
“Ekzistojnë prova që shërbimet e Serbisë kanë tentuar të korruptojnë dëshminë e cila është paraqitur para Tribunalit të Hagës. Njëri nga dëshmitarët e ka pranuar, se dëshmia e tij ishte e rrejshme. Kjo do të ishte një material që do ta diskreditonte cështjen e Prokurorisë. Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia”, theksoi Ben Emmerson.
E avokati i Thaçit në këtë seancë foli për Dick Martyn.
“Raportet dëshmojnë se një numër materialesh janë marrë nga Serbia e që janë shfrytëzuar nga Dick Marty. Është zbuluar përpjekje për të vrarë Dick Martyn. Autoritetet serbe nxorën një kontratë për vrasjen e Martyt për të fajësuar për këtë shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Keohe, transmeton Nacionale.
Por, ai nuk është lejuar ta vazhdojë fjalën nga gjyqtari i procedurës paraprake, me arsyetimin se kjo nuk është tema.
“Kur ndodhi ky kërcënim? Pak pasi klientët tanë u sollën këtu në Hagë, nga fundi i 2020, shërbimi sekret zviceran e kanë marrë në mbrojtje Martyn, pra kanosja ka ndodhur”, ka thënë Keohe.
“Flisni për materialet konkrete shfajësuese”, ishte ndërhyrja e gjyqtarit.