Ish- Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë, Wesley Clark, po cilëson se rajoni i Ballkanit mund të përfshihet përsëri nga një krizë me përmasa të gjera, ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet që urgjentisht të reagojnë.
Në një shkrim autorial të botuar në “Washington Post”, Clark vlerëson se nuk ka shumë mundësi për një konflikt të ri në Ballkan, mirëpo shqetësues është fakti që në këtë regjion tashmë janë prezente shumë forca të huaja, prania e të cilave mund të shkaktojë tension, duke ditur situatën shumë të ndjeshme në Bosnjë dhe në rajon.
Në një intervistë për televizionin boshnjak “N1 TV”, Clark thekson se fjalori i ashpër dhe aktet agresive të shteteve të këtij rajoni, mund të ndikojnë që në Ballkan, më shpejt se në secilin regjion tjetër, të nisë një konflikt i ri, transmeton lajmi.net.
“Po, duhet të jemi të shqetësuar. Ballkani Përendimor duhet të lëvizë sa më shpejt drejt civilizimit përendimor dhe transatlantik. Janë bërë 23 vjet prej se kemi nënshkruar Marrëveshjen e Dejtonit, dhe ende na ka mbetur shumë punë në Bosnjë e Hercegovinë, mendoj se është mjaft e vështirë”, shprehet Clark.
Duke folur për skenën gjeopolitike në Ballkan si dhe rolin e Rusisë, Turqisë dhe Kinës në këtë regjion, me theks të veçantë në zgjedhjet e mbajtura edhe në Sarajevë nga presidenti turk, Erdogan, Clark deklaroi:
“Mendoj se kur liderët e huaj shkojnë për kampanja në vendet tjera, si në këtë rast, kjo menjëherë ndikon në rritjen e tensioneve. Turqia dhe Rusia janë në luftë në rajonin e Ballkanit. Kjo nuk ndodhë vetëm në Bosnjë, kjo ndodh gjithkund, si në Bullgari, ashtu edhe në Rumani dhe vendet e tjera”.
Ndërkaq, sa i përket ndikimit të Kinës në këtë regjion, Clark shprehet se askush nuk duhet të jetë i habitur nëse investimet kineze në Ballkan vijnë me “lidhje dhe detyrime politike”.
“Kur merr paratë kinezë, ti merr edhe ndikimin kinez”, shprehet Clark, shkruan lajmi.net.
“Ballkani është një pjatë tektonike e racës njerëzore, është zona ku qytetërimet historikisht janë përballur dhe janë përleshur. Pra, vlerësimi i saktë është se ne duhet ta përdorim NATO-n për të siguruar sigurinë ushtarake – tha gjenerali i pensionuar i SHBA”, shtoi ai.
Clark u shpreh se duhet të luftohet ashpër korrupsioni në rritje në Ballkanin Përendimor.
“Kjo nënkupton që qeveritarët si dhe ata të zgjedhurit duhet të jetojnë në mënyrë modeste, të mos presin të bëhen miliarderë nga pagat e tyre”, përfundoi Clark.
Clark ishte kryekomandant gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe Serbi, të cilat përfundimisht i dhanë fund politikës së spastrimit etnik të instaluar nga Milosheviq