Deputetja nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha sot se është i papranueshëm degradimi i Kuvendit të Kosovës nga Kadri Veseli e Ramush Haradinaj.
Haxhiu në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se jemi në fund të muajit maj, ndërsa Kuvendi nuk e ka përfunduar ende seancën e 16 prillit.
Lexoni të plotë postimin e Haxhiut në Facebook:
“I papranueshëm degradimi i Kuvendit nga Kadri Veseli e Ramush Haradinaj. Të dy këta, e kanë shndërruar Kuvendin në një institucion të pavlefshëm, që caktojnë e vijnë në seanca kur i mbetet kohë për shkak të agjendave të “ngjeshura”.
Kuvendi ende nuk i ka përfunduar seancat e 16 prillit ndërsa sot jemi në fund të muajit maj.
Pikat që presin të shqyrtohen janë afër 50 ndërsa seanca e nesërme është vendosur me anë të njoftimit me email, pa mbledhje të Kryesisë së Kuvendit dhe kjo është e paprecedent.
Si Qeveri e pakicës, që po i shërben vetëm vetes, ka humbur legjitimitetin dhe si e tillë duhet të dorëhiqet sa më parë!
Nëse Haradinaj nuk e ka kuptuar ende se Kosova është pa Qeveri, atëherë le të kërkojë mocion votëbesimi në Kuvend.
Një ditë më pak për Qeverinë e pakicës, një ditë më shumë për Republikën!”.