
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, se Serbia është kërcënimi më i madh ndaj normalizimit dhe paqes në rajon.
Ajo tha se “Kosova është pjesë e Perëndimit derisa Serbia vazhdon të mbetet satelit i Rusisë”.
Gërvalla kujtoi krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
“23 vjet më vonë po dëgjojmë të njëjtit zyrtarë serbë që po shtyjnë urrejtje e retorikë luftënxitëse. As Vuçiq, që ka qenë pjesë e kabinetit të kasapit të Ballkanit, as Selakoviq e askush tjetër nga këta nacionalistë s’ka kërkuar kurrë falje. Në vend të kësaj, ata vazhdojnë t’i mbulojnë dhe t’i mbrojnë krimet e luftës. I lëvdojnë kriminelët e luftës si heronj, sepse baza e atyre krimeve, vetë urrejtja ndaj kombit tonë, racizmi dhe supermacia serbe është ende e gjallë dhe jeton”, tha Gërvalla.
“Në nuk do të harrojmë kurrë viktimat e as bota s’bën t’i harrojë”, tha Gërvalla.
“Serbia është kërcënimi më i madh ndaj normalizimit dhe paqes në rajon. Në vend se të pajtohemi për të kaluarën, ata vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, jo vetëm Kosovën”, tha Gërvalla.
“Shtatorin e kaluar presidenti serb e kërcënoi vendin tonë me luftë. Kjo ndodhi shkak të një konteksti për shkak të targave të veturave. Vuçiq mblodhi trupa dhe dërgoi avionë luftarakë përskaj kufiri për tabela regjistrimi”, shtoi ajo.
“Pra nuk është vetëm e kaluara e Serbisë që po na rrezikon. Është sjellja e Serbisë së tashme që duhet të ndryshojë”, theksoi ajo.