
Ju duket komplekse politika kosovare? Pritni të shihni politikën e tri komunave me shumicë shqiptare në Serbi, në të cilat sot ndodhi një ndryshim pushteti dhe në të cilin u përfshi edhe kryeministri i Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet e Serbisë që i fitoi Aleksandër Vuçiq u bënë mollë sherri edhe për shqiptarët e Komunës së Preshevës ku tri partitë politike atje u bënë pikë e pesë.
Hidhërimi i pamundësoi që të garonin me një listë të përbashkët në zgjedhjet, ku potencialisht do t’i fitonin tri ulëse në Kuvendin e Serbisë, njëjtë si herën e fundit – falë ish zv. ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajt.
Si rezultat, shqiptarët atje nuk do të përfaqësohen nga asnjë deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë.
Pasi nuk pati rezultat për ta përmbushur egon personale të politikanëve shqiptarë, këta të fundit inatin e nxorën duke prishur koalicionin edhe brenda administratës lokale.
Ende pa i mbushur një vit nga zgjedhja kryetare e Preshevës, shqiptarët e rrëzuan Ardita Sinanin.
Meritori i rrëzimit të Sinanit nga pushteti është Shqiprim Arifi, i cili këtë pozitë tashmë e zuri vetë.
Kuvendi komunal i Preshevës përbëhet nga 38 këshilltarë komunalë. Për ta emëruar apo rrëzuar kryetarin e Komunës, duhen shumica e këtyre votave.
Momentalisht, shqiptarët në Kuvend i kanë pesë parti politike. Ndër to, më së shumti vota ka APN-ja e Shqiprim Arifit me 14 sosh. Pastaj, PDSH-ja me nëntë vota. E treta vjen PVD-ja me shtatë vota. Pastaj, LR-ja me pesë vota dhe UDSH-ja me një votë.
Koalicioni që vitin e kaluar e bëri Ardita Sinanin kryetare të Preshevës, përbëhej nga PDSH, PVD, LR dhe UDSH – 22 vota në total.
Pas zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi, ky koalicion u bë pikë e pesë duke mbetur vetëm LR-ja dhe një deputet i pavarur i cili u largua nga PDSH.
Shqiprim Arifi arriti të zgjidhet kryetar me 14 votat e veta, pesë nga Lëvizja për Reformë (LR) dhe një këshilltar i pavarur – i cili u duhej patjetër për ta bërë shumicën.