Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka reaguar për shpenzimet që bëhen nga udhëtimet e zyrtarëve në Republikën e Kosovës.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se pushtetarët janë duke bërë shpenzime marramendëse.
Deputeti Zeka ka parashtruar edhe një pyetje: A i frikësoheni popullit?!
“Udhëtimet e zyrtarëve tanë në shumicën e rasteve pa asnjë ftesë zyrtare, janë duke i habitur përfaqësuesit e vendeve perëndimore, të cilët pyesin me të drejtë: Si ka mundësi gjithë këto shpenzime nga një vend fukara?!. Të premten një ekip xhirimi nga Shqipëria kishte ardhur për të intervistuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Asnjë këshilltar, asnjë person në kabinetin e tij nuk po përgjigjeshin. Shkova në kabinet që të shikoja se çfarë kishte ndodhur. Përgjigja ishte kjo: ‘I madh e i vogël kanë udhëtuar për Tiranë në lutjet e mëngjesit’”, ka shkruar Zeka.
“Merreni me mend se sa shpenzimet koti, ne kohen kur pacientët i kemi pa barna, pa gjilpëra, pa kushtet minimale që duhet t’i ketë një spital. Po kategoritë e tjera të shoqërisë?! Si ka mundësi që Kuvendi bënë gjithë këto shpenzime, ndërsa deputetët nuk kanë laptopë. Teknika e zërimit është copë-copë. Si ka mundësi që anëtarë të Kryesisë të Kuvendit porosisin bileta udhëtimi, e ju teket të mos udhëtojnë, edhe i djegin ato?!”, ka shkruar më tej deputeti Zeka.
Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një arkivol, ku asgjë nuk funksionon.
“Ka kohë që as nuk miratojmë ligje, as nuk i plotësojmë vendet boshe nëpër borde, madje nuk arritëm të përzgjedhim anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Madje edhe atë qe e kemi zgjedhur na doli se qenka kriminel i njohur në Serbi. Krejt kjo me fajin e Komisionit përkatës, i cili nuk i ka dërguar emrat e kandidatëve në AKI për verifikim”, ka thënë Zeka, derisa ka parashtruar një pyetje për kolegët e tij deputet.
“Një pyetje e kam për çdo deputet, për çdo njeri të veshur me petkun e pushtetarit: Zotit e di se nuk i tuteni, po këtij populli fukara a ja keni frikën?! Apo ja keni shpërla trurin në makinën tuaj të larjes që 18 vite?”, ka shkruar Zeka.