970×90
970×90

Sot fillon vizita e Biden-it në Evropë, rast që ai të shndërrohet në liderin e botës

Sot fillon vizita e Biden-it në Evropë, rast që ai të shndërrohet në liderin e botës

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe homologët e tij botërorë do të prezantojnë një paketë sanksionesh të reja kundër Rusisë, ndihmash për Ukrainën dhe të demonstrojnë unitetin e Perëndimit në një sërë samitesh urgjente në Evropë këtë javë.

Megjithatë, përveç demonstrimit dramatik të vendosmërisë, pak vëzhgues besojnë se gjithçka për çka liderët mund të pajtohen do të jetë e mjaftueshme për të ndalur gjakderdhjen në Ukrainë dhe për të penguar presidentin rus Vladimir Putin nga sulme të mëtejshme.

Presje është përmendur për herë të parë para rreth dy javëve mundësia e samitit të liderëve të NATO-s, zyrtarët amerikanë dhe evropianë po diskutojnë për paralajmërimet e mundshme të veprimeve të reja që liderët duhet të japin në fund të takimit, shkruan CNN.

Kjo mund të përfshijë raunde të reja sanksionesh kundër oligarkëve rusë, masa shtesë që kufizojnë financat e vendit dhe hapa të reja për të kufizuar importet e energjisë ruse. Gjithashtu janë duke u zhvilluar diskutimet për të ofruar më shumë mbështetje për Ukrainën, duke përfshirë dërgesat e reja të ndihmës ushtarake dhe financiare për të forcuar mbrojtjen e vendit.

Ndërsa Biden ka lënë të hapur opsionin e rritjes së numrit të trupave amerikane në anëtarët e NATO-s përgjatë kufirit lindor të aleancës, gjë që do të forconte angazhimin amerikan ndaj mbrojtjes së Evropës në momentin kritik.

Mirëpo realiteti mizor se ka pak gjasa që këto lëvizje të frenojnë agresionin e Putinit do të hedhë hije mbi vizitën e Biden në Bruksel në një takim urgjent të Organizatës së Paktit të Atlantikut të Veriut, së bashku me një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian dhe G7. Biden gjithashtu mund të shtojë edhe një stacion në Evropën Lindore, potencialisht Poloninë, kanë thënë zyrtarët, transmeton Paparaci.

Edhe pse Biden ka qenë i suksesshëm në bashkimin e aleatëve evropianë dhe aziatikë për një sërë sanksionesh dhe ndihmash ushtarake, ai dhe homologët e tij në NATO kanë tërhequr vijën ku do të përfundojë mbështetja e tyre. Ndërsa të gjitha palët duket se mbështesin një zgjidhje diplomatike të krizës, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se parametrat e një zgjidhjeje të tillë edhe më tutje mbesin të paqarta.

Prandaj, mbetet pyetja e hapur se si vizita e Biden-it në Evropë – një nga pikat kthese të presidencës së tij – mund të ndryshojë rrjedhën e konfliktit më të keq në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe kjo është një pikë tjetër për diskutim që liderët botërorë duhet ta nisin – çfarë do të ndodhë nëse, apo kur, Ukraina nuk do të mund t’i rezistojë më agresionit të Rusisë?

Ata do të duhet të shqyrtojnë se çfarë do të ndodhë nëse Ukraina humbë. Pasi të matet se çfarë do të ndodhë nëse Ukraina bie, ata duhet të shqyrtojnë se çfarë mund të bëhet më shumë për ta mbajtur Ukrainën në luftë. Po, ka një rrezik. Ekziston gjithmonë një rrezik në përballje me Putin-in, ka thënë gjenerali në pension Wesley Clark, ish-komandant suprem i aleatëve.

Biden para sfidës për të qenë lideri botëror

Javën e kaluar, lideri ukrainas publikisht ka sfiduar Biden-in që të merr përgjegjësinë për përfundimin e luftimeve. Në një fjalim emocional në Kongres, në të cilin bëri thirrje të krijohet zona e ndalimit të fluturimit dhe ka kërkuar ndihmë në furnizimin e aeroplanëve luftarakë, presidenti Volodymyr Zelensky iu drejtua drejtpërdrejt Biden-it, i cili po shikonte nga biblioteka e tij private në katin e tretë të Shtëpisë së Bardhë.

“Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes”, ka thënë Zelensky në gjuhën angleze.

Bidenin ftoi gjithashtu ish-presidentin ukrainas Petro Poroshenko të vizitojë Ukrainën si një “simbol i solidaritetit” gjatë udhëtimit të tij në Evropë këtë javë.

Këto thirrje personale do të kenë jehonë te njeriu i cili në fushatën zgjedhore u betua se do të ripërtërijë lidershipin amerikan, do të ripërtërijë aleancat amerikane dhe se do të mbrojë demokracinë nga vala e autoritarizmit, shkruan CNN.

Askund kjo sfidë nuk do të jetë më e rëndësishme sesa në bisedimet urgjente të kësaj jave, ku udhëheqësit do të kërkojnë nga Bideni drejtim dhe qëllim.

Megjithatë, ndërsa samitet u paralajmëruan javën e kaluar, disa diplomatë evropianë kanë shprehur shqetësimin për atë, siç konsiderojnë, se ekziston mungesa e hapave të rëndësishëm që udhëheqësit mund të ndërmarrin në takim të cilat Rusia dhe Ukraina do të përcjellin nga afër.

Gjërat kryesore që kërkon Ukraina, si ndihma e NATO-s në krijimin e një zone të ndaluar të fluturimit ose sigurimi i aeroplanëve luftarakë të epokës sovjetike, aktualisht nuk po shqyrtohen pasi Amerika dhe partnerët e saj po përpiqen të shmangin një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë. Kjo do të thotë se çdo njoftim që do të dalë nga takimet ndoshta do të fokusohet më shumë në rritjen e ndihmës që tashmë po ofrohet ose në zbatimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.

Biden është i lumtur që do të takohet me homologët e tij ballë për ballë. Unë supozoj se ata do të sjellin masa të reja që do të mund të zbulohen dhe zbatohen gjatë atyre bisedimeve, ka thënë javën e kaluar për CNN zëvendës-këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, John Feiner, përcjell Paparaci.

Publikimi i paralajmërimit të madh gjatë samitit do të ndihmonte në theksimin e unitetit aktual midis aleatëve, për të cilin zyrtarët amerikanë thonë se e befasoi Putinin ndërsa ushtria e tij lufton me humbjet në terren.

Ai e kishte gabim për Perëndimin. Supozoj se ai mendoi se do të ketë disa qortime, ndoshta disa sanksione, por ai mund të vazhdonte. Ai në fakt frymëzoi ringjalljen e NATO-s. Ndërsa Perëndimi është i bashkuar në opozitë dhe po përpiqet të sigurojë jo vetëm një lloj forcimi të NATO-s dhe vendeve anësore në kufirin e Ukrainës, por edhe të sigurojë mbështetje për Ukrainën , ka thënë Marie Jovanovic, ish-ambasadorja e SHBA në Kiev.

Çështja e Kinës

Samiti i ardhshëm do t’i japë gjithashtu Biden-it një mundësi për të testuar pikëpamjet e kolegëve të tij për një çështje tjetër – çfarë të bëhet nëse presidenti kinez Xi Jinping vendos t’i japë Rusisë mbështetje ushtarake ose ekonomike, siç ka kërkuar Putini.

Në një bisedë 110-minutëshe me Xi javën e kaluar, Biden përshkroi implikimet dhe pasojat e vazhdimit me këtë mbështetje. Mirëpo ndëshkimi i Kinës – ekonomisë së dytë më të madhe në botë – do të ishte shumë më i ndërlikuar sesa ishte me Rusinë dhe do të kërkonte unitet të njëjtë me Evropën, e cila nuk është pajtuar gjithmonë me Biden-in mbi atë se si t’i qaset Pekinit.

“Ky është një samit tepër i rëndësishëm. Ajo mbahet në mënyrë emergjente në mes të krizës. Kjo është pjesërisht për t’u siguruar që ne dhe aleatët tanë të jemi në të njëjtën anë, gjë që është mirë. Por është gjithashtu shumë e rëndësishme t’i dërgohet një sinjal Putinit”, ka thënë Kurt Volker, ish-ambasadori i SHBA në NATO dhe i dërguar i posaçëm për Ukrainën.

Volker identifikoi disa mesazhe të cilat aleanca duhet të dërgojë gjatë samitit të saj, duke përfshirë përsëritjen e përkushtimit të saj ndaj garancisë të Nenit 5 për mbrojtjen kolektive dhe duke e bërë të qartë se përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia do të pasonte me përgjigje të Perëndimit.

Por ai tha se NATO duhet gjithashtu ta bëjë të qartë se Ukraina – e cila nuk është anëtare e grupit të tij – është ende një çështje kritike për anëtarët e tij.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që NATO të dërgojë gjithashtu një sinjal për Ukrainën, se mbijetesa e Ukrainës si një shtet i pavarur dhe sovran në Evropë është në interesin e NATO-s”, ka thënë Volker. “Nuk duam të themi atë çfarë nuk po bëjmë. Ne nuk duam të jemi shumë specifikë për atë çfarë do të bëjmë. Por ne duhet t’i dërgojmë një sinjal Putinit se ne nuk do të qëndrojmë anash derisa ai shkatërron dhe eliminon një vend sovran evropian”, përfundon Volker.

Related posts