Kryetari i Aleancës Kosova e Re, njëherit ish zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i është drejtuar përmes një letre publike, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu.
Pacolli, ka kritikuar ekzekutivin për punën e tyre gjatë një viti, ndërsa e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Ndonëse nuk i di planet e Qeverisë, por nga ajo që shihet që një vit e tutje, nuk është duke u zhvilluar asnjë projekt në infrastrukturën e sidomos ne atë rrugore, ndërsa mirëmbajtja e rrugëve aktuale edhe nuk ekziston fare. Nuk është hedhur asnjë lopatë as për mirëmbajtje e as për sanimin e rrugëve të dëmtuara nga vërshimet e vitit 2021. Kanë stagnuar edhe punët që kishin filluar para vitit 2020”.
Sipas Pacollit, çdo gjë ka stagnuar në rrafshin ekonomik e po ashtu po bëhet shkatërrimi i pamëshirshëm i ambientit dhe natyrës. Ai ka theksuar se nuk është bërë punë nga kjo Qeveri as për mirëmbajtje.
“Duhet reaguar urgjentisht edhe për mbrojtjen e ambientit. Shtretërit e lumenjve po shndërrohen në deponi mbeturinash e pyjet po prehen e po degradohet mjedisi ynë. Kjo letër, i nderuar ministër, nuk ka asnjë qëllim të keq dhe nuk duhet të kuptohet ndryshe, përveç një thirrje për te intervenuar sa me pare”.
Kritika, kreu i AKR-së ka drejtuar edhe ndaj gjendjes infrastrukturore të Kosovës.
“Gjendja e rrugës Prishtinë-Gjilan-Kamenicë, ose Ferizaj-Gjilan-Dheu i Bardhë jo që është e shkatërruar por paraqesin edhe rrezik permanent për jetrat e njerëzve. Ato janë pa sinjalizime, pa trotuar, me gropa pothuajse në çdo metër, me parakolt te thyera, të rrezuar, të shtrembëruar, të zhytur e më përplot mbeturina. Është një ofendim për shoqërinë tonë”.
Ndryshe, më 14 shkurt të 2022, u bënë një vit që Lëvizja Vetëvendosje fitoi me mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.