970×90
970×90

Dosja e Prokurorisë për policët dhe doganierët e arrestuar për korrupsion

Dosja e Prokurorisë për policët dhe doganierët e arrestuar për korrupsion

Gazeta Nacionale ka siguruar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ku kërkohet që për zyrtarët policorë dhe doganierët e arrestuar një ditë më parë, të caktohet paraburgimi prej 30 ditësh. Në dosje, për secilin prej policëve veç e veç përshkruhen veprimet joligjore që çuan në arrestimin e tyre.

Pjesa më e madhe e mallrave që hynin nga kufiri Qafë-Morinë i kalonin kontrollat pa i paguar taksat doganore. Kjo u mundësohej nga zyrtarët policorë kufitarë por edhe një pjesë e doganierëve në këtë pikë kufitare. Këta policë kufitarë, shmangien nga taksa doganore për shumë mallra e bënin në këmbim të parave në vlerë deri në 400 euro. Kështu të paktën po pretendon Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në dosjen që e ka dorëzuar në gjykatë bashkë me kërkesën për caktimin e 30 ditëve paraburgim, jepen detaje të përfshirjes së këtyre zyrtarëve policorë në veprimet e paligjshme.

Përveç mallrave, qysh nga koha e pandemisë, këta zyrtarë policorë kanë mundësuar për shumë persona kalimin e kufirit, në kundërshtim me masat anti-covid.

“Prej muajit gusht deri në muajin dhjetor të vitit 2021 në pikën kufitare Qafë-Morinë, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje dhe në vazhdimësi duke vepruar në mënyrë të organizuar por edhe individualisht, me qëllim të përfitimit material për vete dhe të tjerët, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Kjo në atë mënyrë që kanë pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë duke u mundësuar të hyjnë në territorin e Kosovës përmes shmangies së pagesave të tarifave doganore dhe vendimet e qeverisë së Kosovës për masat anti-covid, ashtu që kanë pranuar deri në 400 euro ryshfet”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë që e ka siguruar gazeta Nacionale.

Ky rast për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, është ndarë në dy gjyqtarë dhe dy prokurorë. Në dosjen për 25 policë, përfshirë zyrtarë të thjeshtë, rreshterë e deri te komandanti, Prokuroria thuajse jep të njëjtat arsyetime për secilin.

E para ndërlidhet me kontrabandimin e mallrave:

I pandehuri F.S. në cilësinë e zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit pasuror për të dhe kolegët e tij, disa herë ka pranuar shuma të ndryshme të parave nga qytetarët të cilët dyshohet se transportonin mallra të ndryshme nga Shqipëria në Kosovë, duke lejuar që të njëjtit ta kalojnë kufirin shtetëror duke shmangur pagesën për tarifën doganore të përcaktuara me ligj. Veprimet e tilla i pandehuri i ka kryer në disa raste si i vetëm, e në disa raste duke bashkëvepruar me kolegët e tij”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kurse aryseja e dytë ndërlidhet me shkeljen e masave anti-covid në pikat kufitare, në këmbim të ryshfetit.

I pandehuri L.H. në poyitën e zyrtarit policor me qëllim që vetes dhe kolegëve të tij t’u sigurojë përfitim pasuror, disa herë ka pranuar shuma të ndryshme të parave nga qytetarë të ndryshëm, me qëllim që të njëjtit të lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës përmes pikës kufitare Qafë-Morinë, në kundërshtim me kushtet për hyrje në Kosovë, dhe masat e mara nga qeveria e Kosovës për luftimin e pandemisë”, bëhet e ditur tutje në dosje.

Për vepra të ngjashme penale akuzohen edhe mbikëqyrës të ndërrimit, të cilët kanë qenë prezentë kur këto vepra penale janë kryer, por nuk i kanë lajmëruar. Në mesin e të akuzuarve është edhe togeri XH.L.

Duke qenë i vetëdijshëm se është duke vepruar në kundërshtim me ligjin, në asnjë rast të vetëm nuk ndërmerr veprime në drejtim të parandalimit të veprimeve inkriminuese apo raportimit të këtyre veprave, ose inicimit të procedurave disiplinore hetimore ndaj zyrtarëve policorë. Me këtë, ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”, pretendon Prokuroria.

Në dosjen e prokurorisë, përshkruhen edhe raste si kanë vepruar zyrtarët policorë, në momentin që kanë marrë ryshfetin.

“A.K. me datë 02.20.2021 rreth orës 15:46 derisa ishte në detyrë në kabinë për kontrollin e pasaportave në pikë-kalimin kufitar në Qafë-Morinë, në prezencën e zyrtarit policor A.D. pranon një shumë të parave nga qytetari A.D., shtetas i Shqipërisë, i cili udhëtonte me veturë. Paratë e pranuara nga qytetari, zyrtari policor ia tregon edhe A.D. duke ia tërhequr vërejtjen që të mos i ekspozojë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Vendimi për këtë rast pritet të merret më vonë gjatë ditës, pasi të përfundojnë edhe seancat.

48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë janë arrestuar një ditë më parë në Gjakovë. Në një konferencë për media nga Prokuroria, Policia dhe Inspektorati Policor kanë bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë, pasi një numër qytetarësh janë në kërkim.

Related posts