970×90
970×90
970×90
970×90

Grupi i Bedri Krasniqit ka dështuar të arratiset nga Dyzi, ishte planifikuar të ndodhte të premten

Grupi i Bedri Krasniqit ka dështuar të arratiset nga Dyzi, ishte planifikuar të ndodhte të premten

Forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës rrethuan të premten ndërtesën e Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz. Burime të Gazetës Express kanë bërë të ditur se shtimi i forcave të sigurisë ndodhi pasi Bedri Krasniqi, i dënuar me 44 vjet burg, tentoi të arratisej.

Express ka kontaktuar me Drejtorin e Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani, por ai nuk pranoi të flasë për këtë çështje.

“Nuk mund të flas për këtë, bisedoni me Drejtorin e Përgjithshëm”, tha ai shkurtimit.

Por, Drejtori i i Përgjithshëm i sapozgjedhur i Shërbimeve Korrektuese në Kosovë, Nehat Thaçi ishte i pa qasshëm në telefon për disa orë.

Të burgosurit Bedri Krasniqi iu pamundësua arratisja nga Burgu i Sigurisë së Lartë, atje ku burgosen vetëm ata që marrin dënime 15 vjet e më shumë.

Bedri Krasniqi është i dënuar për vrasjen e policëve, Sebahate Tolaj dhe Jusuf Haklajt me 27 vjet burg dhe kidnapimin e biznesmenit Azem Morina dhe akuzat për vrasje ndaj tij ende nuk kanë përfunduar.

Ai akuzohet edhe për vrasjen dy policëve që ndodhi në vitin 2004, policit të UNMIK’ut Possible Essuman dhe policit të Kosovës, Arsim Rrustolli.

Por, për të ditur më shumë rreth tentim arratisjes së Bedri Krasniqit, Express kontaktoi edhe me Zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Nuk mund të them asgjë rreth kësaj. Policia e Kosovës është në dispozicion të qytetarëve të Kosovës kur është fjala tek siguria e tyre, por edhe në dispozicion të institucioneve të vendit kur bie fjala tek siguria”, tha Kelani për Express.

Mirëpo, mbrëmë nuk ishte hera e parë që Bedri Krasniqi kishte tentuar të ikte nga burgu., Në vitin 2008, ai kishte arritur të ikte Burgu i Dubravës, atje ku vuante dënimin për vrasjen e Tolajt dhe Haklajt. Pas dy viteve që qëndroi në arrati, ai u arrestua në vitin 2010 para shtëpisë së tij.

Gjatë kësaj periudhe dy vjeçare, Krasniqi kidnapoi pronarin e firmës “Gllareva” Azem Morina dhe bashkë me grupin e tij kriminal, në këmbim të kokës së Morinës, kërkuan 3 milionë euro.

Për këtë vepër penale më pas, Bedri Krasniqi u dënua me 17 vjet burg dhe kështu u dërgua në vuajtje të dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, për të vuajtur 44 vjet burg, për dy dënime.

Pas arratisjes së Bedri Krasniqit nga Burgu i Dubravës që ndodhi në vitin 2008, Ministria e Drejtësisë pati suspenduar atëkohë 18 zyrtarë të atij burgu.

Më 23 mars të 2004’ës Bedri Krasniqi bashkë me grupin e tij, akuzohen se kanë vrarë një pjesëtar të UNMIK’ut dhe një të Policisë së Kosovës, duke shtënë me kallashnikov drejt veturës së tyre 108 herë.

Gazeta Express ka përcjellë gjykimet e këtij rasti në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po ashtu ka raportuar për radikalizmin e Bedri Krasniqit brenda burgut, i cili në seancat gjyqësore gjithmonë shfaqej me mjekër “wahabi”.

Aktakuza, në të cilën akuzohen Bedri Krasniqin, Alban Dizdari, Bajram Kiqmarin dhe Faik Shaqirin, është e mbështetur kryesisht në dëshminë e Shkumbin Mehmetit, i cili ishte pjesë e këtij grupi. Së bashku me Mehmetin, këta katër të akuzuar dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen e policit të UNMIK’ut, Possible Essuman, si dhe vrasjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli./Express/

Related posts