
Lindi nё Mitrovicё më 21 shkurt 1904 si djali i pestë, ndër shtatë djemt e Ibrahim agë Devësdhe Esmës nga familja Osmani. I ati i Xhaferrit ishte me origjinë nga Deva, kishte jetuar e punuar në Nish, ku kishte qenë ndër tregtarët më të njohur[1] dhe vijoi veprimtarinë e tij si grosist druri edhe në vendbanimin e ri ku u vendos si muhaxhir.
Mësimet fillestare i kreu në Mitrovicë, dhe të mesmen në Selanik para Luftës Ballkanike. Më pas vazhdoi shkollimin e tij në Stamboll në “Robert College” për tregti – shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, që në gjuhën turke quhet: İstanbul Amerikan Robert Lisesi, ku mësoi anglishten. Ndoqi kurse për Pyjëtari në Vjenë.
Pas “Robert Kolexhit” në Stamboll, Deva u vendos në Aleksandri si punonjës në Bankën Osmane. Duke vuajtur nga reumatizmi, la Egjiptin dhe shkoi për kurim në Austri. U rikthye në vendlindje më 1932 për t’u përkujdesur dhe për ta mbarështuar më tej sipërmarrjen drusore,[2] manifaturën dhe 8 mijë lirat turke që i la i ati i ndjerë. Me paratë ndërtoi një punishte bashkëkohore për përpunimin e drurit, pjesët e së cilës i solli nga Çekosllovakia.[1]
Qe kryetar i dhomës së tregtisë të Mitrovicës dhe anëtar i bordit financiar të njësisë administrative.[3]
Veprimtaria politike
Hyn në politikë pas pushtimit të Mbretërisë Serbo-kroato-sllovene më 17 prill 1941, pёr organizimin e pushtetit nё rajonin Mitrovicë-Podujevё-Vushtrri, që ishte ajo pjesë e trevës së Kosovёs nёn pushtimin gjerman. I cilësuar si njeri i afërt me të Plotfuqishmin e Reich-ut në Europën Juglindore Hermann Neubacher,[4] të cilit i kishte fituar besimin; themeloi administratën me nëpunës, agronomë, arsimtarë shqiptarë. Mendohet të ketë punuar pranë Abwehr, shërbimit informativ ushtarak gjerman për një kohe të pacaktuar.[5] Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqindhe Ernest Koliqin, hap shkolla shqipe në territoret shqiptare të ish-Mbretërisë SKS, e drejtë e cila ishte mohuar nga ish-mbretëria.[6][7]
Pasi takoi Neubacher në Beograd, niset për Tiranë[3]me Ago Agajn dhe me vete batalionin “Kosova”. Deva merr postin e min. të Brendshëm në qeverinë Mitrovica.
Më 14 shtator 1943 dhe deri nё mbarim tё luftёs ishte kryetar i organizatёs Lidhja e Dytё e Prizrenitdhe drejtoi qendresёn pёr tё penguar futjen e trupave partizane jugosllave nё Kosovё. Në muajt e pranverës ngarkon një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, të krijonte divizionin SS “Skanderbeg“ – emri i plotë zyrtar: 21. Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg(Albanische Nr.1).
Nё shtator të 1944 Shefqet Verlaci pat propozuar Devën të bëhej kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, por ky propozim nuk u pëlqye nga shumica e asaj kohe.[1]
Mërgimi
Pas mbarimit tё luftёs shkoi nё Austri në dhjetor të 1944, mandej në Itali, nga Italia në Egjipt më 1947 ku takohet me Mbretin Zog. Takoi anëtarët e grupeve politike të ndryshme dhe nënshkroi një protokoll të quajtur “Protokolli i Aleksandrisë” me katër pika.[3]
Nga Egjipti në Damask të Sirisë në fund të 1947. Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës “Bashkimi i Kombit” në vitin 1948, si zëdhënse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Në shkurt të vitit 1948 ambasada amerikane në Romë e thërret, ku dhe kthehet. Nga 20 prill 1950 largohet drejt Greqisë e Turqisë e Egjiptit që të takonte dhe rekrutonte njerëz në dobi të axhendës së Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”[3] dhe operacionin “Valuable”. I zhgënjyer, kthehet në Romë ku punoi pranë Zyrës Polake për Ndihmën e Emigrantëve duke mbledhur fonde për emigrantët shqiptarë.[8]
Në vitin 1956, Deva shkoi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në New York, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960 shkoi në Kaliforni, ku vendoset në Calavera County.
Më 1966 rikrijoi organizatёn “Lidhja e Dytё e Prizrenit në Mërgim”, qё propagandoi çlirimin e Kosovёs e tё trojeve tё tjera shqiptare nё Jugosllavi. E respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; vërehet në krye të tubimeve politike shqiptare të udhëheqjes nacionaliste, në Aleksandri të Egjiptit, më 1949 dhe në Madrid më 1972.
Ndërroi jetë më 25 maj 1978, në nekrologjinë e tij shkruhet se shërbente si ndihmësdrejtor i shërbimit postar në Universitetin e Stanfordit, ku qe lektor në vitet 1959-1971[9][8].
Burimi: WIKIPEDIA