
Në më pak se 2 muaj, Kryeministri Rama do të rikthehet për një vizitë në SHBA. Në datën 15 Shkurt, kreu i qeverisë shqiptare do të pritet në një takim në zyrën e tij në Uashington nga Sekretari i Shtetit Anthony Blinken.
Zyrtarisht nuk jepen detaje mbi temat që do të diskutohen mes Ramës dhe Blinkenit, por ajo që është bërë publike përmes dhe kanaleve zyrtare të SHBA, vëmendja ndaj rajonit të Ballkanit nga administrata Biden është intensifikuar, çka nuk përjashtohet të jetë një nga temat kyçe të bashkëbisedimit mes tyre. Nga SHBA, Shqipëria shihet si një faktor stabilizues në rajonin shpesh herë të trazuar të Ballkanit Perëndimor.
Vetë Sekretari Blinken ka falenderuar qeverinë shqiptare që u bë një nga shtetet e para që shprehu gatishmërinë për të mirëpritur bashkëpunëtorët afganë që u evakuan nga Kabuli pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.
Përpara Uashingtonit, Kryeministri do të jetë dhe në Nju Jork në një pritje të organizuar me përfaqësuesit e vendeve anëtare të OKB për nisjen e mandatit 2-vjeçar të vendit tonë si vend jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit.