Vetëm gjatë ditës së sotme hetuesit e Policisë së Kosovës dy herë e kanë vizituar objektin e Kuvendit. Kishin shkuar për ta marrë në pyetje Xhavit Halitin e PDK-së e Arben Gashin e LDK-së, për konfliktin fizik të cilin e kishin pasur të premten që shkoi. Por hetuesit u kthyen zbrazur nga Kuvendi. Aty nuk arritën që ta marrin në pyetje asnjërin nga të zgjedhurit e popullit.
E urdhrin për t’i marrë në pyetje deputetët pas konfliktit të ndodhur e ka dhënë kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka.
“Mund të ju konfirmoj se Prokuroria e Shtetit tashmë i ka nisur hetimet lidhur me konfliktin e ndodhur në Kuvend ditë më parë. Hetuesit kanë shkuar në Kuvend për t’i marrë në pyetje deputetët por ata nuk kishin qenë në Kuvend. Prokuroria po i vazhdon hetimet lidhur me këtë çështje”, ka thënë Beka për Gazetën Express.
E ndërkohë deputeti i LDK-së, Arben Gashi, mbrëmë në Pressing të T7 ka deklaruar se është penduar për sjelljen dhe fjalorin e përdorur në Kuvend, duke sqaruar se sjellja e tij nuk e përfaqëson rolin e tij në Kuvend.
Kujtojmë se Haliti derisa po votonte për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, është afruar pranë deputetit Gashi dhe e ka goditur më bërryl në bark. Derisa Gashi një ditë para sulmit fizik e kishte fyer me fjalë Halitin gjatë seancës së Kuvendit.
Veprimet e të dy deputetëve janë kritikuar nga ana e organizatave joqeveritare që e mbikëqyrin punën e Kuvendit të Kosovës.