
Ndonëse Superliga e Kosovës në futboll ka shkuar në pushim dimëror, skuadra e Ballkanit dëshiron ta shfrytëzojë këtë kohë për ta përforcuar skuadrën në afatin kalimtar të janarit.
“Grepin” për të transferuar lojtarë Ballkani duket se e ka hedhur edhe jashtë Kosovës, gjegjësisht në futbollin turk.
Ballkani ka shprehur interesim për futbollistin shqiptar, Kristal Abazajn.
Abazaj për momentin luan në Turqi, konkretisht në skuadrën e divizionit të dytë, Istanbulspor.
Krahas dëshirës së madhe, Ballkani nuk do ta ketë fare të lehtë transferimin e Abazajt, ngase përveç tyre në listën e skuadrave të interesuara për shërbimet e tij, siç mëson gazeta, është edhe klubi shqiptar, KF Tirana.
25-vjeçari luan në pjesën ofanzive, si sulmues i krahut, por edhe në qendër të saj.
Kristaj Abazaj i lindur në Elbasan në të kaluarën ka mbrojtur ngjyrat e Anderlechtit, Kukësit, Osijekut, Skënderbeut e Luftëtarit.