Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, ka thënë se demokracia po përballet “me sfida të qëndrueshme dhe alarmante” në mbarë botën.
Ai këto komente i ka bërë në nisjen e Samitit për Demokracinë, një samit virtual, ku po marrin pjesë liderët e 110 shteteve, përfshirë edhe Kosovën.
Sipas Bidenit, trendet e demokracisë “gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar”, prandaj, ai ka thënë se “demokracia ka nevojë për kampionë”. Sipas presidentit amerikan, ripërtëritja e demokracisë kërkon “përpjekje të vazhdueshme”.
“Demokracia nuk ndodh aksidentalisht. Ne duhet ta ripërtërijmë në çdo gjeneratë dhe sipas meje, kjo është çështje urgjente për të gjithë ne”, ka thënë Bideni.
Presidenti Biden ka thënë se autokracitë e fuqishme po tentojnë që ta zgjerojnë ndikimin e tyre në mbarë botën.
“Përmes presionit të jashtëm nga autokratët, që duan të zgjerojnë fuqinë e tyre, për ta eksportuar dhe zgjeruar ndikimin e tyre në mbarë botën dhe për të justifikuar politikat dhe praktikat e tyre represive, si mënyrë më e mirë për të adresuar sfidat e sotme. Kështu e paraqesin ata këtë gjë”, ka thënë Bideni, raporton “Rel”.
Ai ka thënë se në planin e brendshëm, ShBA-ja ka nisur një sërë iniciativash për t’ua përmirësuar jetën amerikanëve. “Ne po dyfishojmë mbështetjen tonë për demokracitë në mbarë botën”, ka thënë Bideni.
Bideni ka bërë thirrje që bota të ngrihet në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
“Si komunitet global për demokracinë ne duhet të ngrihemi për vlerat që na bashkojnë, ne duhet të ngrihemi për drejtësi dhe sundim të ligjit, për liri të shprehjes, liri të tubimit, liri të medias, liri të besimit dhe për të gjitha të drejtat e njeriut”, ka thënë Biden.