Për momentin nuk mund të thuhet se cili është shkaku i aksidentit. Dy faktorë janë të mundshëm, faktori njerëzor ose mosfunksionimi teknik i automjetit, tha prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski para spitalit “Pirogov” në Sofje, ku janë vendosur shtatë nga të mbijetuarit e aksidentit të sotëm me autobus.
“Arsyet në këtë moment nuk mund të thuhen. Të gjitha pyetjet janë të hapura. Në fakt, për këtë po zhvillohen hetimet. Kolegët tanë prokurorë publikë nga Republika e Bullgarisë, me të cilët kemi bashkëpunim të shkëlqyer, i rregullojnë të gjitha gjurmët, mbledhin të dhëna dhe për momentin nuk mund të thuhet asgjë për shkakun e aksidentit”, tha Joveski dhe shtoi se bëhet fjalë për një rast me ekspertizë më të gjerë.
Ai theksoi se autopsia e kufomave do të bëhet në Bullgari, ndërsa gjurmët biologjike të familjarëve të të ndjerive do të merren në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup dhe menjëherë do të dërgohen në Bullgari.
“Tani trupat janë duke u nxjerrë nga autobusi, do të duhet të merren gjurmë biologjike nga familjarët dhe presim që shumë shpejt ai proces të përfundojë”, tha Joveski.
Prokurori publik i shtetit theksoi se ky nuk është një hetim paralel.
“Kemi zhvilluar marrëdhënie të mira kolegjiale me Prokurorinë e Bullgarisë. Bëhet fjalë për përshpejtimin e kësaj procedure, për të parë se çfarë dokumentesh i nevojiten vendit tonë për të vërtetuar sa më parë të gjitha faktet e kësaj tragjedie”, tha Joveski.
Në Sofje me Joveskin është edhe kryetarja e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, Vilma Ruskovska, e cila theksoi se inspektimi është ende duke u zhvilluar dhe se nuk mund të japë informacion më të detajuar”, shtoi ajo.