Emri i tij real është Dairo Antonio Usuga, por gjerësisht e njohin si Otoniel.
Pas vitesh e vitesh kërkim, ai u kap në zonën rurale të Antioquia, duke e bërë arrestimin e tij ngjarjen më të bujshme në mijëvjeçarin e ri për Kolumbinë dhe të krahasueshme vetëm me kapitullimin e Pablo Escobar në vitet 1990.
Emri i tij, e përkufizon tërësisht figurën e pushtetshme: Lord i fuqishëm!
Otoniel u bë koka e klanit të Gulf-it, i cili më parë njihej edhe si klani Usuga. Pikërisht Usuga, sepse ai klan, ishte një “trashëgimi” familjare për Otoniel.
I vëllai i tij ka qenë në drejtim të kartelit deri përpara 10 vjetësh. Më pas, në një operacion policor në natën e ndërrimit të viteve, ai u vra nga agjentët kolumbianë.
Nga Usuga në Gulf
Emërtimi më i zakonshëm për këtë kartel, ka qenë ai i bandës më të rrezikshme në Kolumbi. Amerikanët, e përshkruanin atë dhe kreun e saj, si “të armatosur rëndë dhe shumë të dhunshëm”.
Rreth 1 mijë e 800 anëtarë, besohet se janë pjesë e saj. Ata shtrihen në provinca të ndryshme veri-perëndimore dhe kanë lidhje të forta ndërkombëtarisht.
Trafikimi i drogës dhe njerëzve është krimi më i zakonshëm që kryejnë. Por, viteve të fundit, ata kanë hyrë edhe në sektorin e gërmimit të jashtëligjshëm të arit.
Pjesëtarë të klanit Gulf mendohet se janë arrestuar në Argjentinë, Brazil, Honduras, Peru dhe Spanjë. Kjo tregon edhe shtrirjen e madhe të rrjetit të tyre.
Një pjesë e mirë e rrugëve doganore kontrollohen nga ata. Këtu përfshihen edhe të tilla si ajo që lidh Amerikën e Jugut me SHBA-të apo një rrugë trafikimi drejt Rusisë.
Lufta ndaj Gulf ka qenë e vazhdueshme dhe Qeveria mendon se i ka tkurrur numrat e klanit.
Ndërsa kreu i tyre, Otoniel, do të përballet me një mori akuzash, që nga tregtia e kokainës, vrasja e policëve apo rekrutimi i fëmijëve.
Gjasat janë që ai të shfaqet edhe përpara një trupe gjykuese në SHBA, pas një kërkese që amerikanët kanë kryer në vitin 2009 për ekstradimin e tij.
/Albanianpost.com