Në 4-mujorin e parë të këtij viti, 29 persona kanë humbur jetën si pasojë e fatkeqësive apo aksidenteve në komunikacion. Gjatë kësaj periudhe kohore, janë regjistruar rreth 5 mijë aksidente, statistika këto të publikuara nga autoritetet e rendit.
Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 118. 743 tiketa për shkelësit e ligjit, përkatësisht rregullave të komunikacionit, thotë Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar në ndërmarrjen e masave të nevojshme për krijimin e një ambienti më të sigurt në komunikacionin rrugor, dhe mund t’ju konfirmoj se edhe pas aprovimit të Ligjit të ri, janë në proces masa të vazhdueshme operacionale policore”.
“Numri i përgjithshëm i aksidenteve me fatalitet mbetet ende shqetësues për arsye të një ngritjeje prej mbi 4 për qind”, thotë Hoxha.
Për dallim nga viti i kaluar, për periudhën e njëjtë kohore, edhe aksidentet me fatalitet, por edhe ato me dëme materiale, kanë shënuar ngritje.
Me gjithë përkushtimin e policisë dhe gjobitjes së shkelësve të rregullave të komunikacionit gjatë vitit 2017, për periudhën janar-prill kanë qenë 24 aksidente fatale, derisa 27 persona, gjatë asaj periudhe kanë humbur jetën.