
Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka mbajtur konferencë për media ku ka deklaruar se nëse nuk formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe deri në fund të vitit ata do të japin dorëheqje nga të gjitha pozitat dhe do të largohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Nëse nuk krijohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe deri në fund të vitit, unë do t’i informoj të gjithë faktorët relevantë se do të largohemi nga të gjitha institucionet e Prishtinës në veri, në të gjitha nivelet”, tha Rakiq në konferencë.
Kjo deklaratë vjen pas marrëveshjes së fundit për targat në Bruksel, ku pala serbe ka paralajmëruar se në takimin e ardhshëm të dialogut tema e parë që do të diskutohet do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, e krahasoi aksionin e policisë së Kosovës kundër kontrabandës në disa zona të Kosovës, përfshirë veriun, me “natën e kristaltë”, duke thënë se serbët nuk durojnë më.