Një aeroplan i vogël, që transportonte miliarderin rumun Dan Petresku dhe familjen e tij, u përplas në një ndërtesë të zbrazët pranë Milanos, duke shkaktuar vdekjen e të tetë personave në bord.
Siç raportojnë mediet italiane, aeroplani u rrëzua disa minuta pas ngritjes nga Aeroporti Linate, ndërsa do të udhëtonte për në Olbia të ishullit italian të Sardinës.
Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Fluturimeve të Italisë ka nisur hetimet për shkaqet e rrëzimit.
Petresku, 68 vjeç, ishte një nga njerëzit më të pasur të Rumanisë. Ai kishte krijuar pasurinë e tij prej 3 miliardë dollarësh me prona të paluajtshme dhe nga pronësia e disa supermarketeve dhe qendrave tregtare.
Gazeta italiane Corriere della Sera raportoi se gruaja, djali dhe pesë miq të Petreskut ishin në aeroplan, në kohën e incidentit. /REL/