Menjëherë pas mbulimit mediatik të ngjarjeve tronditëse në Afganistan, ku talebanët morën pushtetin, shumë njerëz rikujtuan disa prej romaneve bestseller mbi jetën në Afganistan.
Khaled Hosseini, autori i librit “Gjuetari i balonave”, debutoi si shkrimtar në vitin 2003, dy vjet pas sulmeve të 11 shtatorit dhe operacionit të mëvonshëm të SHBA-së në Afganistan.
Suksesi i ngjashëm me “Gjuetari i balonave”, një histori për Amirin dhe Hasanin, dy djem nga skajet e kundërta të shoqërisë, u pasua edhe me librat e tij të mëvonshëm, “Një mijë diej vezullues” dhe “Dhe malet oshtinë” (në anglisht i gjeni në “The Kite Runner”, “A Thousand Spendid Suns” dhe “And the Mountains Echoed”).
Në një intervistë për CNN, autori flet për kthimin e talebanëve në pushtet, çfarë përgjegjësie ka SHBA -ja ndaj Afganistanit dhe çfarë dëshiron që njerëzit të kuptojnë për vendin e tij.
“Është e trishtë. U zgjova një ditë, ndeza telefonin dhe pashë që Kabuli kishte rënë. Unë kam qenë në Afganistan disa herë që nga 11 shtatori dhe vendosja e amerikanëve në Afganistan, dhe është absolutisht shqetësuese. Kam një lidhje shumë të fortë emocionale me vendin, qytetin, njerëzit e tij. Në fakt nuk kam jetuar në Afganistan që nga viti 1976, por vitet formuese i kalova atje. Është thjesht zemërthyese të shohësh flamurin taleban të valëvitet mbi atë qytet,” tha ai kur u pyet se si u ndje që Kabuli është në duart e talebanëve sërish.
Hosseini shtoi se miqtë dhe familjarët e tij “janë shumë të shqetësuar për sigurinë e tyre, për sigurinë e miqve, për të ardhmen e vendit, për çfarë do të thotë ardhja e talebanëve tani për të drejtat e shumta dhe përfitimet që janë arritur gjatë 20 viteve të fundit”.
Në lidhje me përgjegjësinë e SHBA-së, ai tha:
“Unë fillimisht mbështeta operacionin amerikan në Afganistan – miliona afganë e mbështetën. Kishte ankesa legjitime për mënyrën se si amerikanët bënin biznes në Afganistan. Kishte incidente gjatë viteve që gërryen një pjesë të vullnetit të mirë afgan dhe besimin e amerikanëve. Por në pjesën më të madhe, shumica e afganëve kuptuan se prania amerikane në Afganistan ishte mbrojtja kundër rënies së vendit në duart e kryengritësve. Presidenti Biden mbajti një fjalim ditën tjetër dhe mendoj se do ta pyesja: Cila është trashëgimia e 20 viteve? Për çfarë u bë e gjitha?“
Ai theksoi se aganët “janë nën mëshirën e një grupi që SHBA -ja e ka cilësuar si një grup terrorist, i cili zbatoi terror mbi njerëzit afganë në mesin e viteve ’90 dhe e bëri Afganistanin një strehë të sigurt për grupet terroriste. Pra, është një pilulë shumë e hidhur për ta gëlltitur. Dhe nga perspektiva afgane, është e vështirë t’i fajësosh ata për ndjenjën e tradhtisë.”
Shkrimtari tha se ndihet i bekuar që u ka mundësuar shumë njerëzve të njohin Afganistanin përmes librave të tij. Përpos tyre, të cilët i konsideron si një dritare për të njohur Aganistanin, ai sugjeron edhe të tjerë autorë.
“Fariba Nawa, e cila është një gazetare dhe një shkrimtare e mrekullueshme, ka shkruar një libër të “Opium Nation: Child Brides, Drug Lords, and One Woman’s Journey Through Afghanistan”. Është një kujtim familjar për tregtinë e opiumit në Afganistan. Ai gjithashtu siguron një perspektivë mbi Afganistanin gjatë 30 viteve të fundit. Për ata që duan të kuptojnë jo vetëm historinë afgane, por edhe përvojën e afganëve që jetojnë në mërgim, unë do të rekomandoja Tamim Ansary “West of Kabul, East of New York.”
Përsa i përket regjimit të ri të talebanëve, të cilin këta të fundit e kanë përshkruar se do të jetë ndryshe, shkrimtari është skeptik.
“Jam shumë skeptik. Ne mendojmë se talebanët duhet ta provojnë me vepra dhe jo me fjalë. Vëmendja e botës është te talebanët tani, kështu që nuk është për t’u habitur që ata thonë se do të respektojnë të drejtat e njeriut dhe se do të respektojnë të drejtat e grave. Ata janë shumë të kujdesshëm dhe thonë “brenda kufijve të ligjit islam”, megjithatë, kjo fjali është plotësisht e hapur për interpretim”.