Ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, tha sot në Prishtinë se NATO-ja duhet të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë në Kosovë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se kjo nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe se një hap i tillë duhet të ndërmerret vetëm pas normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë
Zëri i Amerikës: Zoti Clark, Kosova ende nuk ka ushtri të saj për shkak të mospajtimit të serbëve të Kosovës të ndikuar nga Beogradi, që nuk duan të votojnë ndryshimet kushtetuese. Nga pikëpamja juaj çfarë rruge duhet të ndjekë Kosova për t’u bërë më ushtri?
Wesley Clark: Do të vijë një kohë kur Kosova do të ketë nevojë për ushtrinë e vet, por kjo kohë duhet të vijë vetëm pasi gjithçka të normalizohet me Serbinë. Dhe NATO-ja duhet të qëndrojë këtu me KFOR-rin deri në atë periudhë dhe kjo i jep kohë Kosovës për zhvillim të plotë ekonomik, shpenzim të parave në burime ekonomike dhe infrastrukturë, energji, rrugë dhe zhvillime të tjera që do ta bëjnë Kosovën një vend edhe më atraktiv për investime të huaja.
Zëri i Amerikës: Cilat janë kërcënimet kryesore për Kosovën dhe a paraqet Serbia kërcënim për të?
Wesley Clark: Mendoj se kërcënimet ndaj Kosovës janë pjesërisht të jashtme dhe pjesërisht të brendshme. Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një rend fetar ku merr para të mjaftueshme për të jetuar por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur. Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt por nën komunizëm njerëzit në pushtet mbanin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monacco, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë, krenaria në sektorin publik, krenaria në sakrificën e të qenit në shërbimin publik.
Zëri i Amerikës: Një nga shqetësimet për rajonin është edhe ndërhyrja ruse, meqë Moska nuk e sheh më sy të mirë procesin e integrimeve të rajonit. Nga pikëpamja juaj, a është perëndimi i përgatitur t’i kundërvihet kësaj ndërhyrjeje?
Wesley Clark: Mendoj që perëndimi është duke mësuar se duhet të përballet me këtë. Së fundmi aleatët tanë evropianë kanë organizuar konferenca mbi këtë çështje, agjencitë e tyre të inteligjencës kanë folur dhe ata e njohin këtë realitet të kësaj “lufte hibride”, se do të ketë lajme të rreme, informacione të pasakta, sulme kibernetike dhe përpjekje për korrupsion me paratë ruse dhe e tëra kjo mund të përfshijë edhe aksion ushtarak. Prandaj, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë duhet ta adresojnë këtë çështje në fronte të shumëfishta. Patjetër që duhet të mbajmë ushtri të fortë por kjo nuk është e mjaftueshme, duhet të adresojmë çështjen e lajmeve të rreme, të luftojmë kundër korrupsionit dhe kjo nënkupton të kemi etikë të fortë të shërbimit publik.
Zëri i Amerikës: Një nga rrugët e përzierjes së Moskës në Ballkan është edhe çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja vendet janë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve. Si e shihini ju këtë proces?
Wesley Clark: Mendoj se ajo për të cilën kemi nevojë është një ndërmjetës me kohë të plotë, dikush që misionin e vetëm në jetë e ka t’i afrojë këto dy vende dhe të normalizojë raportet mes tyre. Kjo mund dhe duhet të bëhet.
Zëri i Amerikës: Kush mund të ishte ky ndërmjetës?
Wesley Clark: Mendoj se mund të ishte një amerikan, apo edhe evropian, kudo që mbështetja është më e madhe. Por përfundimisht meqë edhe Kosova edhe Serbia dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të jetë një evropian, ose ideale do të ishte një grup amerikan dhe evropian.
Zëri i Amerikës: Sa ka rrezik për ripërtëritje konfliktesh në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën e Serbinë?
Wesley Clark: Nuk mendoj se ka gjasa reale që diçka e tillë të ndodhë në të ardhmen e afërt, megjithëse ndonjëherë trumbetohet si një kërcënim. Mendoj se ajo që duhet të bëjmë në politikë është të kemi sigurinë dhe pastaj ta shohim të ardhmen me shpresë dhe duhet të shmangim përdorimin e frikës si nxitje politike. Është një rrugë e vështirë nëpër të cilën udhëheqësit politik dhe ata të administratës duhet të kalojnë, por ata duhet të ofrojnë shpresë për të ardhmen si forcë motivuese në vend të frikës se çka mund të ndodhë.