Gjermania është një prej donatorëve më të mëdhenj të Kosovë, në sektorët e arsimit, ujërave, energjisë dhe ambientit.
Kështu tha ministri i Financave Bedri Hamza pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve me autoritetet e Gjermanisë për projektet “Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta”, në vlerë 4 milionë euro dhe Shërbime Profesionale të Pranuesit në Kuadrin e Programit II të Menaxhimit të Mbeturinave, në vlerë 1.46 milionë euro.
Ministri Hamza ka shtuar se gjatë mandatit të tij, si ministër kanë arrit 72.4 milionë euro grante dhe me marrëveshje të sotme arrin shumën 78 milionë euro.
“Sot, ne i nënshkruam edhe dy marrëveshje që kanë të bëjnë me një fushë jashtëzakonisht të rëndësishme, që është ambienti dhe të gjithë në pajtohemi që ka nevojë për shumë investime në ambient, si dhe është top prioritet për periudhën e ardhshme në Kosovë. Marrëveshjet që ne i nënshkruam e kanë vlerën edhe më të madhe, sepse janë kontribut financiar pa kthim, që unë them para falë të dedikuara për përmirësimin e ambientit në Kosovë. Totali i marrëveshjeve është 5.46 milionë. Marrëveshja e parë prej 1.46 milionë ka të bëjë për përkrahjen e depove nacionale të mbeturinave, ndërsa pjesa tjetër prej 4 milionë ka të bëjë me përkrahjen e këtij sektori në nivel komunal me pajisje të llojeve të ndryshme, makineri, kontejnerë dhe pajisje të tjera të ngjashme”, ka thënë Hamza.
Anja Becky sekretare e parë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, theksoi se institucionet e Kosovës po tregojnë përkushtim të madh për qëndrueshmërinë e këtyre dy projekteve.
“Pra, sot kemi nënshkruar këto dy projekte me qëllim parandalimin e degradimit të mëtejshëm të mjedisit dhe përmirësimin e sektorit të mbeturinave të ngurta në Kosovë. Një projekt i është kushtuar një studimi mbi fushat e tokave të Kosovës. Qëllimi i tij është të përpunojë përpjekjet lakër jeshile dhe farës së kompanisë së menaxhimit të tokës në Kosovë duke analizuar futjet aktuale dhe duke përpunuar zgjidhjet e ardhshme”, theksoi Becky.
Sipas saj, projekti i dytë që po nënshkruhet sot do të sigurojë pajisje teknike për kompanitë e shërbimit në 16 komuna dhe 5 kompani të mbetjeve të ngurta. Pra, për këtë projekt, komunat dhe kompanitë e mbeturinave të ngurta po konkurrojnë për të përmbushur një numër treguesish të performances.
Drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Komunale për Evropën Juglindore dhe Turqi në KfË Kirk Mildner tha se këto marrëveshje janë mjaft të rëndësishme për Kosovën, sepse nevojat për investime për ambient janë të mëdha.
“Ne kemi arritur shumë në të kaluarën dhe në sektorin e mbetjeve të ujit kemi investuar më shumë se 150 milion euro dhe në përmirësimin e furnizimit me ujë dhe largimin e ujërave të ndotura për qytetarët e Kosovës. Prova e suksesit është se ju të gjithë keni ujë 24 orë në Prishtinë, gjë që nuk ndodhte disa vite më parë dhe kjo është fryt i punës së madhe që ju dhe kolegët tuaj të Qeverisë, por edhe qyteti i Prishtinës dhe kompania a ujit kanë bërë. Sot po hyjmë në një fazë të re të bashkëpunimit tonë, sepse po hyjmë në bashkëpunim në sektorin e mbetjeve të ngurta, ku sfidat janë të mëdha, nevojat për investime janë të mëdha, por edhe si t’i bëjmë gjërat nuk është aq e qartë dhe e lehtë kështu që duhet të studiohet me kujdes”, ka thënë Mildner.
Përfaqësuesit gjermanë uruan që këto mjete të jenë të destinuara për projektet në fjalë, për rregullimin e ambientit.