Qeveria e Kosovës është deklaruar pas përdorimit të dhunës në protestën e organizuar nga PSD.
Në deklaratën e Qeverisë thuhet se besojnë në të drejtën për të protestuar dhe se fajin për dhunën ia hedhin Policisë së Kosovës, shkruan Reporteri.net.
“Ne besojmë në të drejtën për protestë demokratike sepse ajo para se gjithash është një e drejtë e patjetërsueshme që kultivohet dhe garantohet në shoqëritë demokratike. E tillë është shoqëria jonë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës afirmon këtë të drejtë. Jemi të shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë një aksioni të Partisë Socialdemokrate. Policia e Kosovës ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, qetësinë publike dhe mbrojtjen e pronës, duke respektuar të drejtat e njeriut. Përgjegjësi për operacionin e policisë tashmë është suspenduar, kurse Inspektoriati Policor i Kosovës po vazhdon hetimet e mëtutjeshme lidhur me rastin. Në qeverisjen demokratike nuk ka vend për dhunë nga askush”, thuhet në deklaratë.