Pal Lekajt sërish po i kërkohet dorëheqja, duke u bërë kështu ministri më i përfolur i Qeverisë Haradinaj.
Pas kërkimit të dorëheqjës javë më parë me ngritjen e aktakuzës rreth keqpërdorimit të qindramijëra eurove, për Lekajn po kërkohet shkarkim edhe nga nënkryetari i një komune, shkruan gazetametro.net.
Ylber Bajra, nënkryetar i Komunës së Kaçanikut, i ka shkruar kryeministrit Ramush Haradinaj për tíu ankuar në vendimin e ministrit Lekaj për bllokimin e magjistrales që lidh Kosovën me Shkupin.
Sipas Bajres, ky vendim i para disa ditëve i Lekajt ka krijuar probleme jo vetëm në rrugën nacionale, por edhe për banorët e fshatrave nga po kalohet si rrugë alternative.
“I nderuari kryeministër Haradinaj, mbyllja e arteries kryesore Prishtinë-Shkup nga MI ka shkaktuar telashe dhe bllokime të disa fshatrave të komunave Kaçanik dhe HiE! Në të njejtën, rruga alternative Doganaj, Glloboqicë Strazhë për shkak të fluksit të madh të trafikut, rrezikon jetërat e këmbësorëve lokalë dhe vet udhëtarëve! Të njoftova me detajet të shtunën!”, ka shkruar Bajra.
Nënkryetari ka paralajmëruar protestë nëse nuk gjendet zgjidhje deri sot, ndërkohë që ka bërë të ditur se nëse kjo gjë nuk ndodhë, ai do t’i kërkoj publikisht dorëheqjen e ministrit Lekaj.
“Me ministrin dhe zv përkundër insistimit tim për komunikim ndër institucional nuk ia kemi dal të merremi vesh! Ju njoftoj se banorët e fshatrave të prekura të dy komunave kanë paralajmëruar protestë të dhunshme nëse sot deri ora 14.00 nuk gjendet zgjidhje. Duke ju besuar në plotni, parandaloni të keqen! Ju lutem merre ministrin e vizitoni sot kryetarët e komunave në fjalë! Në të kundërtën kërkoj publikisht shkarkimin e Pal Lekaj!”, ka shtuar ai.
Ndryshe, rruga nacionale Prishtinë-Shkup është mbyllur në Kaçanik pas paraqitjes së rrezikut të shembjes së dheut. Në të njëjtin vend para disa ditësh u aksidentuar për vdekje dy policë