970×90
970×90
970×90
970×90

Ministri Lekaj akuzohet se dëmtoi për 70 mijë euro Komunën e Gjakovës

Ministri Lekaj akuzohet se dëmtoi për 70 mijë euro Komunën e Gjakovës

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës dhe ministri aktual i Infrastrukturës Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim në detyrë.

Kallxo.com ka siguruar aktakuzën ndaj Lekajt dhe ish-drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi Ismet Isufi që ngarkohet për të njëjtat vepra penale nga Prokuroria Speciale. Të akuzuar janë edhe pesë persona tjerë.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit në cilësinë e personit zyrtar në periudhën kohore 2008-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përvetësuar pasurinë e cila u është besuar sipas pozitës zyrtare që e kanë pasur, duke mos e mbikëqyrur shpërndarjen dhe pagesën lidhur me subvencione,

Kështu në aktakuzë ceket se të pandehurit duke vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin, angazhuan një biznes “UNION-VL”, pa pasur fare kontratë apo marrëveshje, pa e shikuar shpërndarjen e subvencioneve nga ky biznes.

Sipas aktakuzës, vendimet të cilat i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235,400 eurove, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë bazë juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631,671.82 euro.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e veprimit në kundërshtim me Ligjin mbi Financat Publike, faturat e pranuara nga të pandehurit, nuk e përfshijnë përmbajtjen e transaksioneve konkrete, sepse nuk e kanë respektuar fondin për subvencione, duke marrë mjete monetare edhe nga vijat buxhetore të tjera.

Prokuroria më tutje pretendon se me veprime të tilla iu shkaktua dëm buxhetit të Komunës së Gjakovës 69,786.00 euro.

Në aktakuzë tregohet se për shkak të veprimeve të të akuzuarve një numër shumë i madh i fermerëve nuk kanë pranuar fare subvencione.

Akuzat kanë të bëjnë me kohën kur Lekaj ka qenë kryetar i komunës së Gjakovës, ndërsa Isufi Drejtor i Bujqësisë, do të thotë periudha 2008-2014.

Pritet që ndaj të pandehurve të caktohet shqyrtimi fillestar.

Kallxo.com më 12 prill shkroi për aktakuzën e ngritur ndaj Lekajt, ndërsa ministria këtë aktakuzë e komentoi në facebook, duke konstatuar se gjithmonë ka vepruar në pajtim me ligjin.

Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Gjakovës kishte pushuar procedurën penale ndaj të pandehurve Pal Lekaj, Qazim Mehmeti dhe Nikollë Lleshi të cilët akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin keqpërdorë detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, Lekaj, Mehmeti dhe Lleshi akuzoheshin se gjatë muajit mars të vitit 2012 në bashkëkryerje kanë tejkaluar kompetencat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie pasurore për vete apo për tjetrin duke i shkaktuar dëme Komunës së Gjakovës dhe banorëve të fshatit Jahoc të kësaj komune në një projekt të asfaltimit të një rruge gjatë kohës sa Lekaj ishte kryetar i komunës së Gjakovës.

 

Related posts