Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka pyetur sot kryeministrin Albin Kurti se a ka ndonjë sqarim se si ka mundësi që vëllai i Drejtorit të Doganës së Kosovës që u emërua një muaj më parë nga Qeveria Kurti, ishte personi që e ka bërë shpedicionin e kamionit që u kap në Kosovë me 400 kg kokainë.
“A mund të dalësh ta sqarosh që si ka mundësi që vëllai i drejtorit të Doganës që e ke emëruar ti e ka kryer shpedicionin e kamionit ku u kapën 400 kg kokainë. Ky është mega skandal dhe ti ende ske marrë asnjë veprim. Të paktën është dashtë me suspendu e me shiku çfarë fshihet në këtë skandal. Edhe më i madh është skandali se në fillim u raportua për 2200 kg kokainë e në fund u tha se u kapën vetëm 400. Ku mbetën edhe 1800kg. Dil kryeministër e na sqaro krejt këtë skandal”, tha Tahiri por nuk mori asnjë përgjigje nga Kurti.
Kujtojmë se Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar 7 persona lidhur me rastin ku u konfiskuan 400 kilogram kokainë.
Aksioni ishte kryer në bashkëpunim mes DEA-s amerikane, policisë italiane, Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe Policisë së Kosovës.