Raportuesi i ri për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se “nuk ka zgjidhje të lehtë sepse po të kushte ajo kaherë do të gjendej, por ajo është shumë e ndjeshme”. Ai ka sugjeruar që të shmangen mesazhe konfliktuoze në këtë proces.
Në Konferencën Parlamentare Ndërkombëtare “Me idenë e Bashkimit Evropian deri te paqja dhe zhvillimi”, e mbajtur në Parlamentin e Serbisë, siç raporton Tanjugu, Soltes ka thënë se mendon se është duke u pritur se çfarë qëndrimi do të ketë Aleksandar Vuçiq, të cilin presidenti i Serbisë e ka paralajmëruar sikurse edhe pala kosovare, lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, përcjell Telegrafi.
“Ndonjëherë jam më tepër optimist, kurse ndonjëherë më pak, se do të ketë lëvizje përpara”, tha Soltes.
Ai vlerëson se varet nga të tri palët, Beogradi, Prishtina dhe Bashkimi Evropian, nëse do të gjendet forma për zgjidhjen e problemit, “por në atë mënyrë që kjo të mos ngadalësojë as ndalojë procesin e integrimit evropian”.
“Kjo është në interes të gjithëve”, thotë Soltes, duke u përgjigjur në pyetjen e një deputeti për kushtëzimin e anëtarësimit të Serbisë në BE me kapitullin 35, i cili i referohet Kosovës.
Duke folur për Marrëveshjen e Brukselit, ai tha se edhe për marrëveshjet e tjera vlen që obligimet lehtë pranohen nëse afatet e zbatimit janë relativisht larg nga momenti i arritjes së marrëveshjes.
“Por tani me afrimin e afateve kuptohet që përmbajtja e obligimeve është mjaft kërkues”, tha Soltes.
Ai pranoi se përgjigjja e tij lidhur me dialogun Beograd-Prishtinë është “diplomatike dhe mjaft e gjerë”, pasi nuk mund të thotë më shumë se kaq.
Duke folur për agjendën e eurointegrimeve, ai tha se në periudhën e fundit, çështja e zgjerimit nuk ka arritur në krye të rendit të ditës të BE, duke shpjeguar se lidhur me këtë erdhi deri te një lloj ndarje për shkak të krizës financiare dhe të emigrantëve.
Sipas tij, në krizën financiare janë harruar disa vlera themelore, siç janë mirëkuptimi dhe solidariteti, gjë që u vërejt edhe në raportin e anëtarëve më të pasur ndaj shtetasve të vendeve me një standard më të ulët.