970×90
970×90
970×90
970×90
970×90

Historiku i Kuvendit të Junikut

Historiku i Kuvendit të Junikut

Vendimi për besëlidhjen kryesore u more njëzëri, në KUVENDIN E JUNIKUT, me 21-25 maj 1912.këtu u nënshkrua betimi dhe u more vendimi për kryengritje të përgjithshme deri në fitore të plotë.
Juniku eshte vend historik, ku gjithmonë u bashkuan dhe e lidhnin besë Peja e Gjakova kundër pushtuesve të ndryshëm ashtu edhe kundër pushtuesve osman.
Duke parë rendësinë e Kuvendit, krerët e Junikut i bënë të gjitha përgatitjet e duhura për një Kuvend ku do të thotë të nënshkruash një betim “liri a vdekje”. Hasan Prishtina me të arritur në Junik, u takua me krerët e Junikut në Odën e Junikut, ku u prit nga plaku i Odës Avdyl Hoxha, Bajraktari i Junikut, Beqë Hajdari, Ahmet Haliti, Zenun Musa, Sadri Isufi, Brahim Sadiku, Ahmet Haliti, Rrustë Zeqiri, Abaz Zenuni, Avdyl Shala, Islam Avdia, Demë Isufi, Kadri Hasani, Selim Imeri, Lah Selimi e shumë burra të tjerë nga Juniku dhe Reka. Hasan beu, duke pa gatishmërine e këtyre burrave ishte edhe më këmbëngulës në vazhdimin e organizimit të kryengritjes gjithë shqiptare.
Hasan Prishtina me qëllim që të lidhte për kryengritje edhe krerët e luhatshëm që ishin të lidhur me qeverinë e Serbisë si Riza be Gjakova dhe beglerët nga dera fisnike e Mahmut Zajmëve të Pejës i thirri të marrin pjesë në Kuvendin e Junikut.
Hasan Prishtina, ishte i vendosur në familjen e dalluar të Junikut në Lagjen e Berishës, në shtëpinë e Sali Bajramit në gjirin e Hykasmonëve. Së bashku me te ishin edhe Ramë Binaku e Zeqir Halili.
Gjatë këtyre ditëve, fshatrat e Rekës së Keqe dhe tërë Malësia e Gjakovës, ishte përfshirë nga një presion. Presion në fjalë ishte rezultat i zgjedhjeve. Ahmet beu pat filluar ta turbullojë e t’i kërcënohet Gjakovës me rrethinë.
Më herët malësorët patën filluar të kërkonin që të mësohet gjuha shqipe në shkollat e shtetit. Zeqir Halili para se të mbërrijë në Junik i kishte pri kësaj kërkese. Juniku për një kohë të shkurtër u bë vend takimi i të gjithë atyre që munden dhe kishin aftësi ta përfaqësojnë popullin e Kosovës dhe aspiratat e tyre.
Bajram Curri, Isa Boletini, Nexhip Draga, Hasan Aga, Zejnullah Vuçiterni, Ibrahim Deva, Sylejman Batusha pranuan thirrjet e Hasan Prishtinës dhe të popullit shqiptar dhe arritën në Junik, por me pak vonesë. Me të arritur në Junik, këta u njoftuan nga Hasan Prishtina me gjendjen  në Kosovë dhe rrjedha e punës për përgatitjet e Kuvendit të Junikut. Kurse njoftimin për masat e ndërmarra për mirëvajtjen e punës së Kuvendit i dha Avdyl Hoxha në emër të parisë së Junikut. Duke i dëgjuar këto informata, Bajram Curri iu drejtua Hasan Prishtinës më këto fjalë: “Duhet t’i dalim zot të drejtave tona e të pshtojmë prej robnisë”.
Në Odën e Junik u zhvilluan edhe shumë  takime, konsultime, propozime rreth programit që do të paraqitej në këtë Kuvendin Kombëtar.
Në Junik gjatë një periudhe të shkurtër kohore u tubuan 250 përfaqësues nga të gjitha anët e Vilajetit të Kosovës, me përjashtim të rrethinës së Shkupit e Gjilanit.
Është e sigurt se në kuvend ishte i pranishëm edhe sekretari i Ismail Qemalit. Shqiptarët e anës së Shkupit dhe të Gjilanit siq e cekëm më lartë për pamundësi të marrin pjesë në Kuvend, dërguan letra, me të cilat pajtoheshin me vendimet që do të merrte kuvendi.
Udhëheqësia e LKSH, dhe paria e Junikut kishin një mendim se nëse në Junik nuk do të mundeni ta realizojnë qëllimin, Shqipëria do të bjerë në atë gjendje që gjinden turqit e fushës.Në takimet para Kuvendit, Bajram Curri tha: “Të luftohet me një Perandori e të fitohet lufta duhet pasur shumë gjera e sidomos armë, municion e të holla”. Kurse Hasan Prishtina mendonte se nëse nuk mundemi të ngrihemi apo të luftojmë pse nuk kemi pushkë e të holla, do të thotë të bëhemi sikurse turqit e shtypur. Me këtë mendim ishte edhe Bajram Curri duke shtuar se është detyrë e shenjtë për ne të luftojmë kundër çdo armikut dhe të mos kemi as pushkë e municion e të holla. Pra, duhet t’i dalim zot të drejtave tona e të largohemi prej shtypjes dhe robërisë shekullore. Këto ishin bisedat që  zhvilloheshin në takimet para mbajtjes së Kuvendit të Junikut, mënyra si duhet realizohet kryengritja deri në fitore. Në saje të ndikimit të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit dhe përgatitjes së mirë të kushteve për mbajtjen e Kuvendit nga Paria e Junikut, Kuvendi i Junikut ishte i gatshëm të zhvillojë punimet në shenjë të bashkimit të forcave kryengritëse, të unitetit të krerëve shqiptarë dhe të pajtimit të përgjithshëm të gjaqeve mes fiseve (gjë qe e kishte traditë Oda e Junikut), të përfitimit të disa krerëve, të cilët deri atëherë ishin të lidhur me Portën. Disa krerë si Paria e Pejës, Zenel Begu, Sefedin Begu e Jashar Pasha, jo vetëm që nuk ishin të interesuar dhe nuk shprehën ndonjë vullnet të mirë, por në fsheftësi të madhe filluan propagandën kundër  Kuvendit dhe me çdo kusht mendonin përdhosjen e tij. “Zotrinjtë” e Pejës ushtruan ndikim edhe të Riza be Gjakova. Pra, qëllimi i tyre dhe ai turk ishte që në mesin e pjesëmarrësve të Kuvendit të Junikut të mbillej përçarja dhe të siguroheshin sa më shumë përkrahës të politikës turke. Për këtë arsye mytesarifi i Pejës dërgoi në Junik komisionin e paqës (i ashtuquajtur) të cilin e përbenin kryesisht bejlerët. Ardhja dhe qëndrimi i tyre në Junik, ishte e lidhur me propagandën e tyre që sa më shumë ti bindin pjesëmarrësit e Kuvendit të Junikut që të hyjnë në bisedime me Qeverinë turke se është në të mirë të popullit shqiptar dhe të heqin dorë nga fillimi i kryengritjes së përgjithshëm gjithëshqiptare. Mirëpo, misioni i tyre nuk pati kurrfarë suksesi, sepse u pritën shumë ashpër nga udhëheqësit e kryengritjes dhe nga vet popullata.
Duke parë qëllimin e tyre, sipas vendimit të Kuvendit ata u izoluan nga forcat e fshatit të cilët kishin për  obligim sigurin që puna e Kuvendit të zhvillohet pa pengesa. Këta persona u mbajtën peng në kullën e Avdyl Shalës disa ditë. Pas misionit të pasuksesshëm të krerëve që u dërguan në Junik, repartet e garnizonit të Prizrenit dhe të Gjakovës u obliguan me çdo kusht ta pengojnë punën e Kuvendit, bile edhe t’i arrestojnë organizatorët kryesorë të kryengritjes.
Duke e parë situatën e krijuar, junikasit i caktuan rojet për sigurimin dhe mirëvajtjen e punimeve të Kuvendit, së bashku me forcat kryengritëse bllokuan çdo hyrje në Junik. Forcat turke u ballafaquan në rezistencë të fortë, rezistenca më e fortë u bë në hyrje të fshatit në vendin e quajtur Gurthi, ku kryengritësit bënë rezistencë të fortë dhe u shkaktuan humbje të mëdha armikut që arriti nga garnizoni i Gjakovës. Në këto luftime u dallua heroizmi i banorëve të Junikut, të cilët edhe këtë herë sikurse shumë hera tjera tregoi vendosmërinë në rrugën për çlirim nga armiku.
Puna e Kuvendit u zhvillua nëpër Odat e kullave të Junikut, pa asnjë pengesë, u hartua  plani për aksionet e armatosura dhe u fiksua programi i kryengritjes aprovuar  në “Komplotin e Taksimit”.
Prej 21 majit e deri më 25 maj 1912, vazhdoi punimet Kuvendi i Junikut në Odën e Junikut, në një organizim dhe sigurim të mirë nga ana e Avdyl Hoxhës dhe parisë së Junikut.
Gjatë kësaj pune pesë ditore u hartuan kërkesat e kryengritësve në gjashtë pika. Këto kërkesa ishin të njëjta me ato të vitit 1911 të shkruara në Librin e Kuq të Gërçës në 12 pika të cilat ishin reduktuar nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Reduktimet u përkrahën njëzëri nga të gjithë të pranishmit në Kuvendin e Junikut. Kjo ishte një dëshmi se u sigurua kontinuiteti i programit politik kombëtar i kryengritjes shqiptare nga viti 1908.
Më 25 maj 1912, Kuvendi i Junikut sipas planit paraprak i mbaroi punimet. Në tubimin e madh që e organizuan banorët e Junikut ku ishte vendosur të publikohen vendimet e Kuvendit te “Verrat e Gjotës”, vend i vogël për atë masë të popullit që ishin bashkuar. Në këtë tubim morën pjesë një masë e madhe e popullatës të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Kërkesat e kryengritësve që ishin edhe të popullit u lexuan për herë të parë nga Hasan Prishtina, i cili tha: “Kërkesat që do t’i lexoi janë kërkesa të dalura nga Kuvendi i Junikut dhe të përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit e popullit shqiptarë që morën pjesë në Kuvend dhe atyre që nuk kanë mundur të jenë prezent po që më herët janë deklaruar pro kërkesave”.
Kërkesat e këti Kuvendi janë:- Caktimi i kufijve të Shqipërisë,- Krijimi i një administrate shqiptare,- Ngritja e flamurit kombëtar,- Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare,- Caktimi i një guvernatori të përgjithshëm, që do të zgjidhet nga një familje e njohur e vendit, dhe qe- Plotësimi i këtyre kërkesave të garantohen nga fuqitë e mëdha.
Këto kërkesa kishin formën e Memorandumit, i cili i kishte shtruar qartë qëllimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Me gjithë pengesat shqiptarët u përpoqën të realizojnë ëndrrën e vjetër të tyre.
Kërkesat që u formuluan në Kuvendin (besëlidhjen) e Junikut, e që u lexuan nga Hasan Prishtina u pranuan me duartrokitje të madhe dhe me thirrje për liri. Në shenjë të suksesit u organizua një festë e madhe, nga të gjitha anët dëgjohej kënga, hidhej vallja, nga luftëtarët organizohet qitja në shenjë dhe shumë lojëra të tjera të traditës shqiptare.
Kërkesat që dolën nga Kuvendi i Junikut, ishin të nënshkruara edhe nga Ismail Qemali, e pastaj edhe të botuara në gjuhën shqipe, frënge, italiane e turke. Këto kërkesa nuk gjetën përkrahje në pjesën turkomane të parisë shqiptare. Teksti në formë memorandumi iu dorëzua Qeverisë turke dhe konsujve të fuqive të mëdha në Shkup.
Nëpërmjet shtypit shqiptar u njoh edhe opinioni i vendit.Artikulues i të gjitha kërkesave të kryengritjes në Kosovë, në frymën e Besëlidhjes së Junikut ishte Hasan Prishtina, i cili lëshoi një proklamatë në gjuhën turke dhe në gjuhët tjera drejtuar shqiptareve liridashës dhe botës së kulturuar ku thuhet: “Sot Shqipëria Veriore dhe Jugore i kapi armët, për të fituar më anë të kryengritjes të drejtat tona të garantuara. Pas të gjitha përpjekjeve tona, që të sigurohen të drejtat tona ligjore, nuk na mbeti rrugë tjetër pos armëve. Është momenti kur po vendoset fati-vdekje ose liri e Shqipërisë.” Mbledhja e Junikut përfundoi me direktivën që shqiptarët e të gjithë sanxhaqeve të sulmojnë qytetet e tyre, në radhë të parë Pejën.
Mirëpo për t’i dhënë publicitet kërkesave dhe një jehonë me të gjerë kryengritjes, pranë emrit të vet Hasan beu e vinte emrin edhe të Nexhib Dragës. Këtë veprim politik ai e bënte për dy qëllime: e para që ta komprometonte Nexhib Dragën para pushtetit turk, dhe ta lidhte për kryengritje dhe e dyta, Nexhib Draga i biri i Ali pashë Dragës i cili kishte merita për sukseset e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gëzonte një autoritet në Kosovë e Maqedoni, ishte i lidhur me qarqet anti-turke të Maqedonisë dhe bullgarisë dhe me qarqet diplomatike serbe. Në anën tjetër vëllai i vogël i Nexhipit Ferat Draga bënte lidhje me Komitetin Ballkanik të Londrës dhe me socialdemokratet e Ballkanit të njohur me emrin “Vllaznit e kuç”. Për këtë Hasan Prishtina donte të përfitonte nga kjo lidhje e Nexhib Dragës, i cili nuk do të merrte guxim ta shpallë vetën të papërzier në kryengritje sepse do të komprometohej para shqiptareve të përgjakur kohë më parë me turqit.
Në frymën e Kuvendit Kombëtar të Junikut, Hasan Prishtina botoi një, “Shpallje”, ku paraqitej lufta për autonomi si lufta kundër masakrave, shtypjes dhe administratës antishqiptare xhonturke, dhe ftoheshin të gjithë ta përkrahin luftën shqiptare për çlirim, sepse: “Atdheu pret prej nesh bashkimin, dita a sot e minutat janë afrua për ta pshtuar prej të këqijave të jeune-turqve, a shpëtim a vdekje”.
Më 26 maj 1912, herët pa zbardhur drita, krisi pushka kundër pushtuesve turq. Ende pa u shpërndarë delegatët nga Juniku, filloi kryengritja e armatosur në shumicën e viseve të Kosovës. Shtypi i kohës shkrunte: “Filloi të rrjedhë gjak i ri në Junik, Gjakovë, Pejë, Prizren, Lumë, Guci, Shkodër, Prishtinë e në të gjitha trevat shqiptare”.
Gati në të gjitha gazetat e kohës , shkruente se kryengritja shqiptare kishte filluar. Gazeta “Shkupi” informonte se: “kryengritja është në tërë Gegërinë, dhe se po zgjerohet me të madhe në viset tjera, krahas luftës po tubohen edhe të holla për lëvizjen e Shqipnisë”.
Forcave kryengritëse që ishin në Junik iu bashkuan edhe kryengritësit nga Reka e Keqe, Malësia, Vokshi. Së bashku me forcat kryengritëse të Pejës  (afër 2000) u vendosën në Strellc të Epërm. Qëllimi i vendosjes në Strellc ishte kundërvënja forcave turke që ishin të vendosura në kazermat e Pejës.
Në Strelc u krijua qendra e kryengritjes, populli i cili filloi masovikisht ti afrohet kësaj qendre dhe ta mbeshtesë. Forcat kryengritëse për një kohë të shkurtër vendosën kontrollin e tyre në rrethinën e qytetit të Pejës.
Shqiptarët sulmuan Pejën. Luftimi u bë gjithë natën e së shtunës.Të nesermën nga ora 21 deri 23 shqiptarët sulmuan përsëri Pejën. Gjatë këti sulmi nga Gjakova urgjentisht u dërguan në Junik 4 batalione dhe 4 topa, në Baballoq 6 batalione dhe 6 topa. Ishte edhe njëtentativ e komandantit të Korpuesit të VII-të, Ismail Fazli Pasha  ti bind shqiptarët, ku propozoi kryengritësve të mbledhur në Junik që të shpërndaheshin brenda 48 orëve nëpër fshatra, kryengritësit e lanë Junikun dhe shkuan drejt Pejës, duke kaluar pranë Deçanit, përmes Isniqit dhe Strellcit. Gjatë kalimit kryengritësve ju bashkua edhe Iljaz Aga, i biri i Kadri Beut, Sejfulla Beu dhe Sefedin Beu, kreu i qytetit. Me kryengritësit u bashkuan edhe delegatët e qeverisë Riza Beu dhe Bajram Curri, që morën përsipër komandimin e kryengritësve. Për ti ndihmuar shqiptarët që kaluan nga Juniku në Pejë nisën të shkonin shqiptarë nga Mitrovica, Plava, Gucia dhe Rugova. Nga fisi i Gashit, murën pjesë në kryengritje vetëm malësorët e jo edhe prisi i tyre Sylejman Batusha i cili kaloi në anën e turqve. Armiku përdori edhe mjete materiale për ti berë për vehti edhe bajraktarët me pak peshë.

Gjatë kësaj kohe në malët e Junikut u mblodhën shumë shqiptarë të armatosur nga Rugova, Hasi, Malësia dhe vilajeti i Shkodrës ku pritëshin vendimin e krerëve shqiptarë për ta sulmuar Gjakovën.
Pas përgatitjeve dhe vrojtimit të situatës në  qytet, filluan sulmet e kryengritësve kundër forcave turke që ishin të stacionuara në kazermat e qytetit. Pas  një kohë të shkurtër kryengritësit arritën që të hyjnë në Pejë.
Sukseset e kryengritësve i frikësuan qarqet antishqiptare ballkanike, të cilët me të shpejtë u vunë në lëvizje. Politika e shteteve ballkanike ishte e orjentuar në zhvillimin e situatës në trevat shqiptare, me të vetmen arsye pushtimin e këtyre viseve. Shumë njësi ushtarake dezertonin dhe u bashkoheshin kryengritësve. Gazeta shkupjane serbe “Vardar”, shkruante në kryeartikullin e saj: “Shumë gjurullti e shumë e shumë po përmendet emëri njëfarë Shqipnie e kombit Shqiptar! A nuk e din se Shqypnia o vetëm afër kroit një copë toke, shqiptar tjetër kund s’ka dhe n’Kosovë aspak”.
Në anën tjetër udhëheqësit e kryengritjes shqiptare me anë të pendës së Ismail Qemalit, në gazetën e Sofjes “Veçernja posta”, bënë thirrje: “Bashkohuni ju shqiptarë, e ju grekë e bullgarë (Maqedoni) t’i përzam  këtë turk barbar!”.

Porta nuk i pranoi kërkesat e Kuvendit të Junikut. Për këtë, në kryengritje u çuan jo vetëm Drenica por edhe Dibra e Mati. Kurse Bajram Curri me shokë i mundi forcat turke në Krasniqe. Kryengritja shqiptare në Kosovë, sa vinte e korrte suksese, deri nga fundi i qershorit 1912 kryengritësit arritën të shtinë në dorë gati të gjitha vendet kryesore në Kosovë dhe më gjerë. Kryengritja mori hov të madh posaçërisht në qershor 1912. Në këtë periudhë vetëm në Kosovë kishte më se 30.000 kryengritës. Gjithashtu kryengritës kishte edhe në viset  tjera shqiptare. Kryengritësit shqiptar çliruan Gjakovën, Prishtinën dhe pothuaj tërë Kosovën.
Fadil Pasha me 3 qershor 1912, pas luftimesh të ashpra në Junik, u tërhoq me forcat e veta në Pejë. Forcat kryengritëse përkohësisht u tërhoqën në Krasniqe (Malësinë e Gjakovës) dhe në malet e Rugovës. Gjatë qershorit Bajram Curri sulmoi batalionet turke në Qafën e Prushit.
Luftimet ishin të ashpra, u shpartalluan katër batalione turke dhe u zu shumë material luftarak. Fitorja e Qafës së Prushit kishte jehonën e vet shumë pozitive në tërë luftimet e kryengritësve në Kosovë. Në të njëjtën kohë grupi i “të Besëlidhurve”, i udhëhequr nga Gjeto Coku, Zef Harapi, filluan Luftën në Mirditë dhe me 29 maj sulmuan Lezhën.
Vrasjet, dhunimet, mohimi i të drejtave dhe lirive dhe dëshira për çlirim ishin shkak i ngritjes së 80 mijë shqiptarëve në kryengritje të përgjithshme. Këto ishin edhe mendimet e udhëheqësve të kryengritjes si në Dukagjin Bajram Curri, në Karadak Idriz Seferi dhe në Shalë të Bajgorës dhe në Sanxhak Isë Boletini.
Kryengritësit që vepronin në zonën  Drenicë-Mitrovicë-Podujevë-Prishtinë të udhëhequr nga Isa Boletini, Ahmet Prekazi, Zejnullah Vuçitërna, kishin krijuar një gjendje shumë të vështirë për xhonturqit. Grupi i kryengritësve në Shqipërinë e Mesme të udhëhequr nga Abdi Toptani zhvilloi luftime me repartet turke në Tiranë, Shijak, Krujë. Fitore të rëndësishme në luftën kundër turqve arritën në zonën Gjilan-Prizren-Lumë-Tetovë të udhëhequr nga Idriz Seferi, Islam Spahiu, Mehmet Pashë Drella. Ata shpartalluan Fadil Pashën dhe zunë grykat e Kaçanikut e Caralevës, duke ua ndërprerë turqve rrugën për të sjellë forca të reja.Kështu nga gjysma e korrikut 1912, kryengritësit shqiptarë kishin shtrirë veprimtarinë e tyre gati në tërë territoret shqiptare. Me 23 korrik 1912, në ditën e katërvjetorit të Kushtetutës së Turqisë, nga presioni që bënë kryengritësit dhe luftës së tyre shembullore dhe të vendosur, u ngrit kabineti i ri me Gazi Ahmet Miftarin në krye.

Por pritej edhe rënia e Parlamentit, sepse shqiptarët e kishin  detyruar qeverinë turke për atë çka kanë dashtë …Qeveria duke parë situatën e krijuar dha një urdhër përfaqësuesve të saj në Shqipëri që sot më 25.VII.1912, të ndërpriten të gjitha operacionet ushtarake kundër kryengritësve. Qeveria turke (xhonturqve) duke u gjetë në këtë situatë nuk i mbeti gjë tjetër veçse të jep dorëheqje. Ndërsa qeveria e re e posa formuar, dërgoi një delegacion të vet në Prishtinë për t’u takuar me prijësit e kryengritjes, posaçërisht me Hasan Prishtinën.
Në këtë takim Hasan Prishtina kërkoi autonominë e cila u refuzua nga delegacioni turk. Por si kompromise pranoi memorandumin prej 14 pikash të kryengritjes shqiptare të arritur në Kuvendin e Junikut, ku përveç tjerash kërkohet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, vendosja e shqiptarëve si nëpunës në administratën dhe krijimi i fondeve për zhvillimin ekonomik të viseve ku jetonin shqiptarët.
Kryengritja përhapet gjithnjë e më tepër, kryengritësit ishin zotër të vendit, ata vepronin si të ishin të lirë në shtetin e tyre, dhe ia filluan negociatave me Qeverinë e re turke sikurse një shtet që bënë bisedime me shtetin tjetër.
Kryengritja shqiptare e verës së vitit 1912, e lëkundi nga themeli sundimin turk, edhe pse ishin të vetmuar në luftë. Në anën tjetër atyre po u përgatitej kasaphana e viteve: 1877, 78, 80, 81…
Ata ishin të dënuar që pa ndihmë të askujt t’u kundërviheshin pushtuesve të rinj dhe politikave të Fuqive të Mëdha. Ende pa filluar lufta shtetet fqinj kishin filluar politikën e tyre okupuese ndaj territoreve shqiptare.
Edhe këtë ngjarje, i pari, e pasqyroi edhe këngëtari popullor, kur thotë:

Ushton Gryka e Kaçanikut,
U mblodh paria n’odë t’Junikut,
N’Junik janë mbledhë shumë trima,
N’kam u çu Hasan Prishtina:
Merrni vesh, të bijt e Kosovës,
Sot ne mreti i Stammollës
Na ka çu’ lira e pare,
Me ja shitë votrën shqiptare.
Kanë harru i biri qenit
Se jem nipa t’skënderbegit,
Se nuk domë dukat as lirë,
Veç Kosovën e domë t’lirë
Kshtu n’Junik u muaer vendimi,
Edhe flakë në t’kallet Drini,
Le t’rrjedh gjak krejt Dukagjini,
Le të kuet krejt Kosova,
T’shemet Peja dhe Gjakova
E ta marrë vesh krejt Evropa:
Se asht lidhë besa shqiptare,
Qi n’kto troje legjendare,
Mos me shkelë thundra barbare,
Për pa dalë Kosova fare!
Lumja ti, Kosovë krenare
Ne n’kto rreze të lirisë
Çfletojmë faqet e historisë,
Bijt e tu për me i kujtu,
Qi themelin ta kanë vu.

Dipl.ec.IndiraA.Hoxha

Related posts