970×90
970×90
970×90
970×90

Simboli me kuptim… sekret!?

Simboli me kuptim… sekret!?

Si u bë brumë i teorive të konspiracionit, syri brenda një trekëndëshi. Matthew Wilson e analizon historinë e këtij simboli. Pjesë të shkrimit të tij të publikuar në BBC Culture, Telegrafi sjell më poshtë.

Teoritë e konspiracionit vlojnë nga simbolet e koduara dhe shenjat e kamufluara. “Syri i Providencës” – një sy i vendosur brenda një trekëndëshi – është simbol i tillë, i lidhur me masonerinë, por që gjithashtu ndërlidhet me iluminatët apokrifë – një grup sekret i individëve elitarë që pretendohet se duan t’i kontrollojnë çështjet globale.

Syri i Providencës është nxitje për teoricienët e konspiracionit, sepse është shumë i pranishëm; ai jo veç që shfaqet në kishat e shumta dhe ndërtesat masonike në gjithë botën, por gjithashtu edhe në pjesën e prapme të kartëmonedhës amerikane prej një dollari si dhe në stemën e Shteteve të Bashkuara.

Në kartëmonedhën prej një dollari amerikan, Syri i Providencës është mbi piramidën prej 13 kateve që simbolizojnë shtetet themeltare

Në fakt, duket zgjedhje e pazakontë dhe e çuditshme për të qenë simbol i shtetit amerikan. Syri i patrupëzuar përçon sensin e një Vëllai të Madh autoritar. Në kombinim me piramidën poshtë, na del një emblemë që sugjeron një kult antik dhe ezoterik.

Por, cilat janë origjinat e “Syrit të Providencës”? Pse na magjeps kaq shumë dhe pse lidhet shpesh me masonët dhe iluminatët?

Syri hyjnor në “Darkën e Emausit” nga Pontormo (1525), është pikturuar më vonë për të fshehur një fytyrë të ndaluar nga kundër-reformimi

Fillimisht, Syri i Providencës ishte simbol i krishterë dhe shembujt më të hershëm të përdorimit të tij mund të gjenden në artin fetar të periudhës së Rilindjes, për ta përfaqësuar Zotin. Një shembull i hershëm është “Darka e Emausit”, piktura e Pontormos e vitit 1525, edhe pse vetë simboli u pikturua më vonë – mbase në vitet 1600.

Një burim tjetër me rëndësi, i kësaj ikone, është një libër emblemash i quajtur “Ikonologjia”, i botuar së pari më 1593. Në botimet e mëvonshme, Syri i Providencës u përfshi si një atribut i personifikimit të “Providencës hyjnore” d.m.th. të dashamirësisë së Zotit. Siç sugjeron emri i simbolit dhe përdorimi i tij i hershëm, u shpik si një shenjë e vigjilencës së dhembshur të Zotit ndaj njerëzimit.

Askush nuk është i sigurt se kush e shpiku fillimisht, por kushdo që e bëri, e modeloi nga një sërë motivesh fetare që ekzistonin që më parë. Trekëndëshi ishte simbol i kahershëm i Trinisë së Krishterë të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë; ndonjëherë, në shekujt e mëparshëm, Zoti madje përshkruhej me një aureolë trekëndore. Rrezet e dritës që shfaqen shpesh, që burojnë nga simboli, janë gjithashtu një shenjë para-ekzistuese e shkëlqimit të Zotit në ikonografinë e krishterë.

Por, cilat janë zanafillat e atij syri të frikshëm pa trup?

Në Librin e Orëve, Zoti përshkruhet me aureolë trekëndore që i referohet trinisë së krishterë

Zoti është përshkruar në mënyra të shumta të fshehta më parë, të tilla si një dorë e vetme që dilte nga një re, por jo si një sy.

Është e drejtë të thuash se një sy i izoluar ka ndikim psikologjik, duke treguar autoritet edhe për shikuesin e duke nënkuptuar një vigjilencë. Ju madje mund ta shihni këtë efekt në natyrë, me disa kafshë që kanë zhvilluar “sy” në lëkurën e tyre për të trembur grabitqarët. Fotografi surrealist, Man Ray, e përmblodhi më së miri misterin e syrit pa trup kur tha se “Pasqyra e rreme” e punuar nga René Magritte më 1929, “shikon aq sa shihet vetë”.

Syri i magjepsi Surrealistët, si portë mes unit të brendshëm dhe botës së jashtme. Në këtë foto është “Pasqyra e rreme” nga Rene Magritte (1929)

Por, ka një histori më të thellë në syrin si simbol, që duhet marrë parasysh – një që na kthen përsëri në fetë më të vjetra. Në mijëvjeçarin e tretë p.e.s., sumerët e përçuan shenjtërinë e disa skulpturave duke zgjeruar në mënyrë jonormale sytë, për të rritur ndjesinë e vigjilencës së qëllimshme. Ata madje mbanin ceremoni në të cilat artistët sillnin skulpturat në jetë duke “hapur” sytë e figurave.

Sumerët me sytë e stërmadhuar e shfaqnin shenjtërinë e figurave hyjnore

Por, egjiptianët e lashtë ishin krijuesit e syrit si motiv: për shembull, një palë sysh të pikturuar në një arkivol që lejonin të vdekurit të shihnin në jetën e përtejme. Dhe, një nga më të famshmit, nga të gjitha simbolet egjiptiane, mbetet Syri i Horusit. Ky motiv është në të vërtetë një hibrid i një syri njerëzor dhe skifteri. Sipas mitologjisë së lashtë egjiptiane, Horusit zot-mbret (shpesh i përshkruar si një fajkua ose me kokën e një fajkoi) i ishin prerë sytë në një betejë me xhaxhain e tij, Setin. Me ndihmën e Thothit, ai më vonë i shëroi sytë e tij. Syri i Horus ishte pra simbol mbrojtës, shpesh i përdorur si një amulet – një skulpturë mjaft e vogël që një person e mbante në xhep si formë mbrojtjeje.

Syri i Horusit si hajmali mbrojtëse

Ky dhe një hieroglifi tjetër egjiptian i syrit të izoluar njerëzor, vazhduan të ndikojnë në ikonografinë evropiane gjatë Rilindjes. Në atë kohë, studiuesit dhe artistët kishin një magjepsje me shkrimet egjiptiane; problemi i vetëm ishte se ata nuk e kuptuan plotësisht atë dhe përkthimet ishin të pasakta. Një nga më të famshmit u shfaq në një romancë të vitit 1499 të titulluar “Ëndrra e Polifilos”, ku përkthimi i simbolit egjiptian të syrit ishte “Zoti”.

Kjo buroi nga një keqkuptim thelbësor i përdorimit origjinal të hieroglifëve. Në ditët e sotme e dimë se ato ishin gjuhë e shkruar, kryesisht me shenja fonetike, por në vitet 1400 dhe 1500 besohej se kishin një domethënie shumë më mistike. Simbolet, në shkrimet hieroglifike – kafshë, zogj dhe forma abstrakte – mendohej se ishin qëllimisht misterioze, secili duke krijuar kuptim përmes frymëzimit sesa si një pjesë e një sistemi gjuhësor. Ato ishin, siç besohej, enigma të hapura që përmbajnë kuptime të shumëfishta.

Ky besim pati efekt të madh në artin evropian. Kur dolën fjalorët e simboleve, si “Emblemata” e vitit 1531 nga Andrea Alciati dhe më vonë “Ikonologjia” nga Cesare Ripa, theksi u vu te simbolet vizuale kriptike, shpesh tepër komplekse, ku shikuesi futet si pjesëmarrës në deshifrim si dhe konstruktues i kuptimit. Si rezultat, një motiv si “Syri i Providencës” ishte qëllimisht ezoterik. Është simbol i ndërtuar pothuajse me qëllimin për t’u riinterpretuar, dhe ndoshta edhe për t’u keqinterpretuar. E, kjo me të vërtetë ndodhi në fund të shekullit të XVIII-të. Tre shembuj kryesorë nga kjo periudhë demonstrojnë një diversitet të simbolikës së “Syrit të Providencës”.

Syri i Providencës në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit (1789)

Në Francën post-revolucionare, Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit, nga Jean-Jacques-François Le Barbierit (1789), e paraqiti tekstin me “Syrin e Providencës” në krye. Në këtë rast, ai është bërë instrument i arsyes paternaliste, për të vëzhguar kombin e ri egalitar.

Në Britani, më 1794, Jeremy Bentham e porositi arkitektin Willey Reveley që t’ia projektojë atij një logo për “Panoptikonin” e tij – burgun e ri revolucionar që synon të ketë mbikëqyrje të vazhdueshme të secilës qeli. Dizajni përfundimtar përfshinte Syrin e Providencës – një simbol i vështrimit të pandërprerë të drejtësisë gjyqësore – i rrethuar nga fjalët “Mëshirë”, “Drejtësi” dhe “Vigjilencë”.

Simboli i burgut “Panoptikon” që synonte që të burgosurit të mos e dinë kurrë se kur vëzhgohen

Disa vjet më parë, më 1782, u zbulua Stema e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Thomas Jefferson, Benjamin Franklin dhe John Adams i kishin dhënë idetë e tyre për modelin, por ishte Charles Thomson, sekretari i Kongresit Kontinental, i cili doli me piramidën dhe Syrin e Providencës – ndër elementët tjerë të vulës (në bashkëpunim me një avokat dhe artist të ri me emrin William Barton). Piramida e papërfunduar kishte për qëllim të simbolizonte “forcën dhe qëndrueshmërinë”, me 13 nivele që përfaqësonin 13 shtetet themeltare të Amerikës. Syri i Providencës – si dy shembujt e tjerë nga e njëjta periudhë në Britani dhe në Francë – ishte simbol tradicional për mbikëqyrjen dashamirëse të Zotit për kombin e ri. Në asnjë prej këtyre shembujve, masoneria nuk u përfshi në përzgjedhjen e simbolit.

Dizajni që William Barton bëri për Stemën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përdor në anën e pasme dhe me moto ndryshe

E çka për iluminatët? Detajet e viteve të para të grupit themeltar – të krijuar në Bavari më 1776 dhe të shpërbërë në 1787 – janë relativisht të paqarta. Ne gjithashtu nuk e dimë se sa të rëndësishëm ishin simbolet vizuale për atë rendi. Është e vërtetë që iluminatët u frymëzuan nga idetë që qëndronin pas masonerisë, e cila e kishte përdorur në mënyrë sporadike Syrin e Providencës si simbol të Arkitektit Suprem (Zotit), duke ndjekur shembullin e shumë kishave të tjera në atë kohë.

Sidoqoftë, masonët nuk e përdorën shumë simbolin e Syrit të Providencës, deri të paktën në fund të shekullit XVIII, dhe jo para se Benthami, Le Barbieri, Thomsoni dhe Bartoni ta kishin miratuar atë për qëllimet e tyre. Për fat të keq të teoricienëve të konspiracionit, Syri i Providencës në kartëmonedhën prej një dollari na flet më tepër për estetikën e fundshekullit XVIII sesa për autoritetin e elitave sekrete.

Related posts