Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë takimit me sekretarët dhe krerët e degëve të PD-së ka bërë me dije se nuk do t’i njohë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Ai ka kërkuar nga këto të fundit që të mbledhin materialet për mashtrimet elektorale.
Basha i ka porositur krerët e degëve të evidentojnë çdo parregullsi gjatë procesit të votimit. Kreu i PD-së do të zhvillojë ture nëpër në çdo degë të partisë, për të mbledhur prova për manipulimet.
Ky takim erdhi pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku PD-ja arriti të merrte vetëm 59 mandate.
Basha më herët nga selia e PD-së bëri me dije se nuk ishte momenti i duhur për të mbajtur një konferencë për mediat.
“Beteja do vazhdojë deri në fitore”, tha ai gjatë daljes nga selia.
Ky ishte reagimi i dytë e kreut të PD-së, që pas humbjes së zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, në një deklaratë për mediat theksoi se dosja për parregullsitë, gjatë zgjedhjeve të 25 prillit, është në fazën përfundimtare.
Sipas Kasos, materialet e mbledhura do të çojnë në rinumërim dhe rivlerësim të votave.
/Albanianpost.com