Vetëvendosja e Albin Kurtit mbeti pa disa prej njerëzve më të rëndësishëm, të cilët mbanin pozita të larta në parti, duke përfshirë edhe ish-kryetarin Visar Ymeri dhe kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti, të cilët u shkëputën nga partia dhe tash kanë arritur marrëveshje për ta marrë PSD’në e Kaqusha Jasharit, në një marrëveshje për t’u bashkuar në këtë parti me orientim social-demokrat, transmeton Gazeta Metro.
Në një intervistë për RTK, Albin Kurti refuzon të thotë që VV’ja është ndarë. Madje, ai tha që ata që kanë dhënë dorëheqje kanë gabuar dhe disa prej tyre tashmë e kanë kuptuar një gabim të tillë.
“Është e vërtetë që 12 deputetë e kanë braktisur grupin tonë parlamentar, por nuk ka ndarje. Ata në zgjedhje u votuan në emër të Vetëvendosjes. Unë besoj shumë që ata kanë gabuar e disa prej tyre e kanë kuptuar këtë”, tha Kurti në një intervistë në RTK.
Kurti thumboi edhe ish-anëtarët e FER’it, një partie ku bënte pjesë edhe Shpend Ahmeti e që ishte shpërbërë pasi kishin dështuar ta kalonin pragun zgjedhor. Kurti tha që me sondazhet e fundit, Grupi i Deputetëve të Pavarur qëndron më keq se FER’i.
“…tani ky grup janë më keq se partia FER1, pra tani FER2 ka rreth 1.8% në një sondazh ndërsa në një sondazh tjetër ka 2%, më pak se sa FER1 që kishte rreth 2.7% të mbështetjes”, ka thënë Kurti.
Nga 32 deputetë sa fitoi VV’ja në zgjedhjet e 2017’s, tash kanë mbetur 19 deputetë, 13 prej të cilëve formuan GDP’në e një që shkoi në AAK.