Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për shkarkimin e anëtarëve të bordit të drejtorëve në Ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenc”, pasi Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar shpërndarjen e bonuseve për shkak të gjendjes së rëndë të ndërmarrjeve publike.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se kërkesën për shkarkim e ka bërë pasi më 18 dhjetor 2017 ministria ka ndaluar shpërndarjen e bonuseve për shkak të gjendjes së rëndë të ndërmarrjeve publike dhe pas atij vendimi ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka shpërndarë bonuse, ku janë shpërndarë dhe rroga 13.
Ai ka bërë të ditur se rroga mesatare në këtë ndërmarrje është rreth 900 euro.
“Është problem të lejohen gjëra të tilla. Një gjë e tillë më duket absurde që ndërmarrjet me humbje me marrë bonuse”, tha ai.
Në lidhej me këtë ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili thënë se ky vendim është i pabazuar.
“Dëgjova me vëmendje ministrin. Ju folët për humbjen e ndërmarrjeve dhe honorarët. Vendimmarrja juaj është e pabazuar. A është shkas me i shkarkuar anëtarët e bordit a me e zhvilluar ndërmarrja? Vendimet e tilla në të ardhmen do t’i kundërshtoj fuqishëm, sepse s’po shoh qartësi dhe koncept për këtë ndërmarrje. Po kërkoj që ju të keni koncept për zhvillimin ekonomik. Të mos jemi qeveri që mbahemi mend veç për shkarkim të bordeve. Sot do të abstenoj në të ardhmen do të jem kundër. Nëse ka shkelje gjyqësore merret gjyqësia. Ne jemi këtu për zhvillim dhe nuk po shoh këtu koncept të zhvillimit”, tha Hoxhaj.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur pro uljes së pagave për punonjësit e PTK-së.
“Nëse një ministër i shkruan një kompanie dhe i thotë mos e bënë një punë e ata e bëjnë, më vjen keq, por unë qëndroj prapa ministrit. Këto kompani kanë pasur liri të tepruar si rasti i PTK-së. Unë jam me i zbrit pagat në postë. Nëse e lëmë pagën si është sot kompania rrezikon për bankrot. E përkrahu ministrin Lluka në këtë rast. Kompanitë publike duhet ta disiplinojnë pak veten”, tha kryeministri Haradinaj.