Të paktën dy parti politike do të injorojnë Tryezën e partive politike të thirrur kësaj radhe nga PDK’ja, të martën e ardhshme. Rexhep Selimi ka thënë se s’kanë pse të shkojnë në tryezën e Veselit, derisa Pacolli ka thënë se tryezat e tilla janë të kota dhe po mbahen për qëllime personale.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Kosovën e re do ta bojkotojnë tryezën e radhës të partive politike, e thirrur, për të martën nga Kadri Veseli i PDK’së.
Kështu, pjesë e kësaj tryeze pritet të jenë LDK, AAK, NISMA dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur. Megjithëse këta të fundit nuk kanë dhënë ndonjë sqarim nëse sigurt do të jenë pjesë e takimit të radhës të thirrur nga Veseli.
Rexhep Selimi, deputet i VV’së, ka konfirmuar para disa ditësh, për T7, se nuk do të marrin pjesë në tryezën e PDK’së. Sipas tij, Veseli dëshiron të përfitojë kohë për të qëndruar në pushtet.
Ndërkohë, Behgjet Pacolli, kishte deklaruar se tryezat e Partive janë të kota dhe po bëhen për qëllime personale të liderëve.
Madje, Pacolli ka deklaruar se Veseli, Haradinaj e Mustafa po bëjnë gara politike në mënyrë të heshtur, përmes prezantimit të dokumenteve, që nuk kanë qëllim zgjidhjen e problemeve.
“Unë besoj se është një konkurrencë e heshtur në mes të liderëve partiakë që më tepër të thonë diçka, se secili prej tyre e di se nuk ka ofruar asnjë gjë e cila do t’i ndihmonte kauzës sonë”, ka thënë Pacolli të shtunën për Express.
“Platformat janë për interesat e tyre. Ka më tepër show se substancë”, ka shtuar ai.
Reagimi i Pacolli ka ardhur pas prezantimit të Platformave dhe Tryezave të mbajtura nga PDK, LDK e AAK.
Në këto dokumente e takime janë përmendur disa tema që duhet çuar përpara. Zgjedhjet nuk janë opsion.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ditë më parë, ka prezantuar edhe propozim-platformën për konsensus rreth këtyre temave.
Takimi i parë ishte thirrur nga LDK’ja, ku kishin marrë pjesë shumica e partive politike.
Ky cikël takimesh kishte nisur me idenë që të ketë konsensus nacional për disa tema si integrimet, ushtria e zgjedhjet.
Partitë në pushtet kanë mohuar mundësinë që të shkohet në zgjedhje shpejt.
Por, Behgjet Pacolli e ka përmendur mundësinë që vitin tjetër të ketë zgjedhje nëse kryhen disa tema si reforma zgjedhore, integrimet, ekonomia e ushtria.
Aktualisht, Qeveria e Kosovës, ka vetëm 52 deputetë pasi Lista Sërpksa ka ikur nga koalicioni. As opozita nuk i ka siguruar 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë, pasi Grupi i Pavarur i Deputetëve ka paralajmëruar se nuk do të bëhet pjesë e rrëzimit të Qeverisë nëse në të njëjtën nismë është edhe Lista Srpska.