Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve ka ndërprerë shërbimet e udhëtimit me autobusë për qytetarë si shenjë pakënaqësie me Qeverinë e Kosovës për mosndihmë financiare në kuadër të Programit për Rimëkëmbje Ekonomike. Qeveria Hoti ka ftuar Shoqatën e Transportuesve të Udhëtarëve për diskutim dhe gjetjen e një zgjidhje.
“Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti sqaron opinion se në kuadër të masave për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) për vitin 2021, në vlerë prej 222.4 milionë euro, të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 14.01.2021 (vendimi nr 06/58) janë të përcaktuara ndarjet buxhetore për secilën nga masat, përfshirë këtu edhe modalitetet e zbatimit të masave, ku obligohen ministritë përgjegjëse të përgatisin planet dhe kriteret sektoriale për zbatimin e masave të cilat pastaj miratohen në Qeveri.
Kryeministri në detyrë, z. Avdullah Hoti, kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme.
Pandemia Covid-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset” thuhet në njoftimin e Qeverisë.